Ish-deputetja Oriola Pampuri ka reaguar lidhur me problemet me ujin në Tiranë. Pampuri publikoi një video ku viheshin në kontrast deklaratat e kryebashkiakut Erion Veliaj, për ujin e ujësjellësit që vjen i klorinuar dhe ka pësuar gjithë trajtimin kimik sipas tij, me disa pamje nga uji që vërtet vjen në rubinet.
“Me mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm, kushtet e jetesës në Tiranë janë përkeqësuar gjatë drejtimit të qytetit nga Erion Veliaj. Që kur ujesjellesi kaloi në pronësinë e plotë të Bashkisë së Tiranës, kryeqyteti po vuan mungesën e ujit të pijshëm dhe, akoma më keq, uji shkon i ndotur në shumë familje shqiptare.
Ndryshe nga shumica e mediave që Erion Veliaj ka blerë dhe kontrollon, rrjetet sociale, të pacensuruar prej tij, shfaqin çdo ditë realitetin e mungesës së ujit në Tiranë. Autobotët dhe bidonat e ujit janë simbolet e një qyteti të qeverisur keq, pa investime dhe të vjedhur nga Erion Veliaj. Kryetari i palogjshëm i Bashkisë se Tiranës është përgjegjës për shëndetin e mijëra qytetarëve të Tiranës me deklaratat e tij të papërgjegjshme se uji që vjen në rubineta është i sigurtë.
Ne kemi bërë gati një material, ku, në më pak se 1 minutë, perballet propaganda e Erion Veliajt me realitetin që qytetarët denoncojnë në Tiranë për gjendjen e mjerueshme të ujit në zona të ndryshme të qytetit.”, shprehet Pampuri.
Ish-deputetja shtoi se Veliaj fitonte 11 milionë euro në vit nga ujësjellësi, por nuk i investonte ato.
“Arsyeja pse ne nuk kemi ujë në shtëpi dhe bizneset tona, megjithëse e paguajmë atë më shtrenjtë se kushdo në Shqipëri, është rezultat i drejtpërdrejtë i vjedhjes nga ata që drejtojnë kryeqytetin. Bashkia e Tiranës është shndërruar në një bunker të madh, ku askush nuk jep asnjë informacion për qytetarët, askush nuk jep llogari, por vetëm i zhvat ata duke rritur taksat, duke rritur çmimin e ujit, duke vendosur gjoba, duke betonizuar çdo hapësirë dhe duke përkeqësuar cilësinë e jetesës në qytet.
Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se ndërkohë që në shtëpitë e tyre nuk ka ujë te pijshëm, Erion Veliaj fiton 11 milionë euro në vit nga ujësjellësi pa i investuar ato. Investimi i vetëm i kryebashkiakut që gënjen është rritja e vazhdueshme e çmimit të ujit, plan nga i cili Erion Veliaj nuk ka hequr dorë akoma.”, tha Pampuri.