Vendosni fjalën kyçe....

Torturat në burgje, KiE i lë 6 muaj afat qeverisë për ndërhyrje


Komiteti Kundër Torturës pranë Këshillit të Europës ka publikuar raportin pas monitorimit të burgjeve në vendin tonë.

Edhe pse monitorimi përfundoi në dhjetor të vitit 2018, vetëm tre ditë më parë ai është botuar në faqen zyrtare të KiE-së.

Disa nga çështjet të cilat trajtohen në këtë raport janë dhuna ndaj të burgosurve, kushtet në qeli, diskriminimi, trajtimi jo i mirë i personave të huaj të dënuar, mbajtja e të miturve në të njëjtin burg me të rriturit, trajtimi jo njerëzor i personave me probleme mendore, dhuna gjatë shoqërimit në polici.

Problematika që sipas komitetit kundër torturës vazhdojnë të mos marrin zgjidhje.

“Qëllimi kryesor i vizitës ishte të rishikohet progresi i bërë në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të bëra nga CPT pas vizitave të mëparshme. Vëmendje e veçantë iu kushtua trajtimit dhe kushteve të ndalimit të personave të vënë në prangat e policisë dhe të të burgosurve në disa burgje dhe institucione, si dhe situatën e pacientëve psikiatrikë mjekoligjorë dhe të burgosurve me sëmundje mendore.

Për më tepër, delegacioni i CPT-së (Komiteti i Parandalimit të Torturës) realizoi vizita në institucionet psikiatrike civile dhe, për të parën herë në Shqipëri, në një institucion të ndalimit të imigracionit.

Gjatë vizitës, delegacioni intervistoi një numër të madh të personave që ishin ose kishin qenë së fundmi në arrest policor. Shumica e tyre treguan se ishin trajtuar si duhet nga policia. Sidoqoftë, delegacioni mori një numër të konsiderueshëm akuzash për dhunë fizike të kohëve të fundit si keqtrajtimi i të dyshuarve penalë nga oficerët e policisë. Shumica e këtyre pretendimeve kanë të bëjnë me përdorimin e forcës së tepërt në kohën e arrestimit ose menjëherë pas kapjes.

Një numër i akuzave të tilla lidhet me keqtrajtimin e shkaktuar gjatë transportit dhe / ose në kohën e marrjes në pyetje  në ambientet e policisë, me sa duket për të nxjerrë një rrëfim, për të marrë informacion ose si një formë dënimi.

 Keqtrajtimi i supozuar konsistonte në shuplaka, goditje, shkelmimebe, goditjeve të forta me ndonjë objekt (p.sh. një karrige) dhe prangosje të ngushtë”., thuhet në raportin e KIE-së.

Këshilli i Evropës i tërheq vëmendjen qeverisë shqiptare për mos përmbushjen e detyrave të lëna prej tyre më herët.

Në përfundim të raportit, Këshilli i Evropës i rekomandon qeverisë shqiptare të marrë masa të menjëhershme për përmirësimin e kushteve në burgje.

I lihet afat 6 muaj qeverisë për përmbushjen e kritereve, ndërkohë që një rekomandim i veçantë është bërë për ndërhyrjen e domosdoshme në legjislacion.

“CPT u kërkon autoriteteve shqiptare të japin brenda gjashtë muajve një përgjigje duke dhënë një llogari të plotë mbi veprimet e ndërmarra nga ata për të zbatuar rekomandimet e Komitetit dhe përgjigjet ndaj komenteve dhe kërkesave për informacion të formuluara në këtë raport. Sa i përket kërkesave për informacion në paragrafin 108 dhe rekomandimin në paragrafin 118, Komiteti dëshiron të marrë një përgjigje brenda tre muajve.”, shkruhet në raport.

Sipas KiE, qeveria duhet të marrë masa për të siguruar televizor në çdo qeli. I vetmi premtim që kanë marrë deri tani nga ministrja Etilda Gjonaj është trajtimi ndryshe që do t’u bëhet të dënuarve me shtetësi të huaj. Është premtuar se të huajve do t’u lihet më tepër kohë në dispozicion për të qenë në ajër të pastër dhe çdo mëngjes do të bëjnë ushtrime.

“Për sa u përmend më lartt, CPT i bën thirrje edhe një herë autoriteteve shqiptare të marrin hapat e nevojshëm – përfshirë nxjerrjen e udhëzimeve dhe trajnimin e stafit përkatës, për të siguruar që në të gjitha institucionet e vizituara, si dhe në burgjet në Shqipëri:

– të gjithë të burgosurit e sapoardhur t’i nënshtrohen një kontrolli gjithëpërfshirës mjekësor nga një mjek (ose një infermiere e kualifikuar që raporton te një mjek) brenda 24 orëve…”, thuhet në raport.

Më tej kërkohet që procesverbali i hartuar pas ekzaminimit mjekësor të një të burgosuri të përmbajë një raportim të plotë të gjetjeve mjekësore dhe vëzhgimet e mjekut duke treguar konsistencën midis çdo pretendimi të bërë dhe gjetjeve. Më tej, rezultatet e çdo testi duhet të bëhen të disponueshme për të burgosurin dhe avokatin e tij / saj.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *