Vritet me armë zjarri futbollisti holandez, Kelvin Maynard. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Amsterdam. Mediat lokale shkruajnë se dy burra qëlluan me armë zjarri nga një motoçikletë mbi makinën e futbollistit, e cila më pas u përplas me godinën e shërbimit zjarrfikës.
32-vjeçari po udhëtonte me makinë në rajonin Langbroekdreef të kryeqytetit kur e qëlluan. Sipas policisë, ai mund të jetë ndjekur deri në dy kilometra.
Autoritetet kërkojnë ndihmën e dëshmitarëve okularë për gjetjen e dy autorëve, të cilët ia mbathën në një skuter të zi.
Futbollisti holandez me origjinë nga Surinami u zhvendos nga Belgjika ku luante për Royal Antwerp në Britani të Madhe, ku nënshkroi me Burton Albion. Mbrojtësi ndihmoi skuadrën e tij të fitonte ligën e dytë që në vitin e parë në Angli. Disa media shkruajnë se Maynard ishte “i njohur për policinë”, një eufemizëm që nënkupton se ai mund të jetë marrë në pyetje nga policia ose mund të ketë një procesverbal.
Sipas policisë holandeze, ngjarja nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e avokatit Derk Wiersum që kishte ndodhur në të njëjtën ditë. Për shkak të ngjarjes, është anuluar ndeshja e së shtunës kundër Hollandia-s.