Ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, ka bërë një pasqyrë të situatës pas tërmetit të fuqishëm që goditi Tiranën, Durrësin, Elbasanin e Kavajën si dhe fshatrat përreth qyteteve në fjalë.
Në një konferencë për shtyp, Xhaçka, tha se mund të ketë të tjera pasgoditje ndërsa theksoi se është lajm i mirë që nuk ka pasur viktima në njerëz si dhe fakti që pasgoditjet kanë shënuar ecuri në rënie.
“Ky është një informacion paraprak që na vjen nga institucionet dhe nga terreni. Tërmeti që ra sot ishte i një magnitude 5.8 i shkallës Rihter me intensitet 7.7 deri në 8 ballë në qendër. Është një lajm i mirë që goditjet pasuese shënuan një trend në ulje qoftë për nga magnituda apo edhe intensiteti. Sipas informacioneve zyrtare paraprake, deri në momentin që po flasim raportohet për 68 persona atë lënduar, por bëhet fjalë për lëndime të lehta që kanë ardhur si pasojë e frikës, disa prej të lënduarve janë asistuar nga ekipet e ambulancave. E rëndësishme të theksohet që nuk ka pasur humbje jete.” – tha Xhaçka.
Më tej ministrja tha se në Tiranë janë dëmtuar rreth 46 banesa, në Durrës e Shijak janë dëmtuar disa banesa, në Dibër janë dëmtuar 4 banesa, në Berat një banesë e në Fier 4 banesa.
“Në qarkun e Tiranës ka dëmtime, kryesisht krisje në 46 banesa, në Dajt, Komunë e Parisit, Asrtir, Kashar e Zallher. Në Durrës, Shijak, raportohen dëme në dy pallate dhe banesa të vjetra. Në qarkun Dibër raportohen 4 banesa të dëmtuara dhe një e rrëzuar plotësisht. Në Berat një banesë që e dëmtuar, në Fier 4 banesa të dëmtuara lehtë, e rëndësishme është që nuk ka asnjë dëm në puset e naftës. Për banorët që u janë dëmtuar shtëpitë, bashkitë janë duke përgatitur qendra të posaçme strehimi. Numrat ku mund të marrin të gjithë qytetarët në nevojë janë numri unik 112, policia 129, zjarrfikësja 128 dhe urgjenca 127.”, shtoi Xhaçka.