Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli ende pa qeveri, ish-ministri refuzon koalicionet me kryeministrin Netanyahu e opozitarin Gantz


Pasiguria është duke u rritur në Izrael pas zgjedhjeve parlamentare, që nuk kanë përcaktuar ende se kush do e formojë qeverinë e re, pasi Avigdor Lieberman, i cili udhëheq një parti që ka një pozicion kryesor në formimin e një koalicioni, nuk pranoi të mbështesë asnjë prej kandidatëve kryesorë për kryeministër.

Konsultimet dy-ditore midis presidentit izraelit, Reuven Rivlin dhe krerëve të partive politike filluan të dielën. Presidenti do të duhet të vendosë se kujt ia beson mandatin për të formuar një koalicion qeverisës.

Dy liderët e zgjedhjeve të Knesset (parlamentit izraelit), kryeministri aktual, Benjamin Netanyahu dhe kreu i partisë rivale “Blue and White”, Benny Gantz, nuk kanë një rrugë të qartë për të arritur shumicën.

Partitë e tyre arritën përkatësisht 31 dhe 33 vende, që është shumë më poshtë se shumica e kërkuar prej 61 vendeve dhe Gantz tashmë ka kundërshtuar thirrjet e Netanyahu për një “qeveri uniteti”.

Shanset për të siguruar një shumicë u bënë edhe më të paqarta pasi ish-Ministri i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, tha se partia e tij, e cila siguroi 8 vende në Knessetin me 120 vende, nuk do të mbështesë Netanyahun dhe Gantzin për koalicionin parlamentar.

“Angazhimet që kemi bërë ndaj votuesve tanë janë të forta dhe ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim,” tha Lieberman.

“Benjamin Netanyahu dhe Likud vendosën të formojnë një koalicion me partitë ultra-ortodokse dhe fanatikë fetarë, ne nuk mund të jemi pjesë e këtij blloku.”

Pozicioni i Lieberman ndaj Gantz është edhe më i ashpër, pasi ai “hodhi në erë” koalicionin e mundshëm mes partisë së tij dhe aleancës së mbizotëruar nga arabët, duke i quajtur ata si “armiq të hapur”.

“Gantz, duke mbajtur mundësinë e formimit të një qeverie me listën ultra-ortodokse dhe listën e partive arabe ka hequr mundësinë të bëjë koalicion me ne. Partitë ultra-ortodokse nuk janë armiq, por rivalë politikë. Kurse anëtarët e partive arabe janë padyshim armiq, kudo që të jenë,” tha Lieberman.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *