Këtë të hënë, presidenti i vendit Ilir Meta kishte një mesazh për të ndarë me qytetarët. Përmes një fotografie ku shfaqej me macen e tij, Meta është përpjekur të japë një mesazh qetësimi për gjithë shqiptarët e përfshirë nga paniku pas tërmetit të fortë që ra të shtunën.
“Mirëmëngjes të dashur miq,
Me rëndësi është t’i kthehemi jetës së përditshme dhe qetësisë në familjet tona! Ju uroj një javë të mbarë!”, shkruan Meta.
Edhe kryeministri Edi Rama, u përpoq këtë mëngjes të qetësojë qytetarët e përfshirë nga paniku mbrëmjen e kaluar, pas një lajmi që qarkulloi në rrjet për një tjetër tërmet të fuqishëm që supozohej të binte në 23:30.
Rama fton qytetaret t’i rikthehen jetës normale dhe mos t’ja vënë veshin “të dalëve nga mendja” sikur shprehet ai për gazetarët që shpërndanë lajmin.
“MIRËMËNGJES dhe me lutjen që mos t’ua vini më veshin të dalëve nga mendja, të cilët siç e patë edhe njëherë mbrëmë, janë të gatshëm të ndjellin e gatuajnë deri në fund, më të keqen e të keqes për këtë vend e për këtë popull; si edhe me apelin miqësor që sot gjithkush të rikthehet në jetën normale (e më mirë ju demokratët këtu më shani mua sa të doni, se sa të trembeni nga ata që parashikojnë tërmete), ndërkohë që ne do të vijojmë me përkushtim punën në mbështetje të familjeve më të prekura, ju uroj të gjithëve pa përjashtim, një ditë të zakonshme për veten e për familjet tuaja”, shkruan Rama.