Këtë mëngjes Fushë-Kruja dhe rrethinat e saj janë gdhirë nën ujë. Shirat e dendur të mbrëmjes së kaluar, kanë bërë që lumi i Zezës, lumi Ishëm dhe kanali i Budullës të dalin nga shtrati gjatë natës.
Deri tani bëhet fjalë për disa lagje të përmbytura të Fush-Krujës si dhe fshatrat Bilaj, Murqinë, Dërven, Urë e Gjoles, Hasan, Luz, Mazhe, Gjuricë e Mallkuç ku uji ka rrethuar banesat. Në disa prej tyre uji ka hyrë brenda, e madje edhe në disa biznese.
Banorët e këtyre fshatrave që prej orës 02:00 të mëngjesit, janë marrë me sigurimin e bagëtive si dhe automjeteve të tyre, duke i dërguar në zona më të larta të cilat kanë më pak gjasa të preken nga përmbytja.
Ata që kanë shtëpitë me më shumë se një kat, po ngrejnë mobiliet e katit të parë në katet e mësipërme, për të mos e pësuar si në dhjetor të 2017-ës, kur iu dëmtuan pothuajse të gjitha mobiliet. Ndërsa ata që jetojnë në banesat 1-katëshe u mbetet vetëm të presin e të luten, mos të përsëritet e njëjta ngjarje. E ndërkohë, një pjesë e mirë e banorëve të rrethinave të Fushë-Krujës, ankohen se ende nuk janë dëmshpërblyer për përmbytjet që i prekën para dy vitesh.
Erërat e forta nga ana tjetër, kanë bërë që disa pisha të bien e të bllokojnë aksin nacional Krujë-Fushë Krujë në vendin e quajtur Krastë./Hashtag.al