Kryetarja e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Alma Liçaj është shkarkuar përfundimisht nga Gjykata e Apelit. “Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi në mënyre unanime:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 78, datë 15.11.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Alma Liçaj.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.”, njoftoi KPA.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, përbëhej nga Luan Daci kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, si anëtarë.
Liçaj u akuzua për fshehje dhe mungesë të burimeve financiare për pasurinë e saj që përbëhet nga një shtëpi dhe 5 apartamente në Vlorë dhe Tiranë. Ajo zgjodhi t’u qëndronte përgjigjeve me shkrim dërguar Komisionit, pa sqaruar në seancën publike akuzat për deklarime të pasakta, mungesë burimesh financiare dhe fshehje të pasurisë, të ngritura si nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ashtu edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Sipas relatores Xhensila Pine, gjyqtarja Alma Liçaj dhe bashkëshorti i saj zotërojnë një shtëpi me sipërfaqe 120 m2 të ndërtuar mbi truall 215 m2 në Vlorë, një apartament 71.80 m2 po në qytetin e Vlorës, dy apartamente në Tiranë të blera për 97 664 euro dhe 60 mijë euro si dhe dy njësi banimi me sipërfaqe 43 m2 dhe 95 m2, së bashku me një garazh prej 35 metrash katrorë në qytetin e Vlorës.
Gjithashtu, gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj kanë deklaruar si origjinë të këtyre pasurive borxhe të marra nga persona të tretë në vlerat 60 mijë euro, 30 mijë euro, 70 mijë euro dhe 12 mijë euro, ndërkohë që në vitin 2016, bashkëshorti i gjyqtares ka përfituar me kontratë dhurimi nga vëllai pasuritë me sipërfaqe 43 m2, 95 m2 si dhe garazhin me sipërfaqe 35 m2 në qytetin e Vlorës.