Pas shkrimeve që kanë qarkulluar në disa portale pranë qeverisë, se ishte presidenti Ilir Meta përgjegjës për qarkullimin e një lajmi të rremë për një tërmet të fuqishëm rreth orës 23:30 të së djelës, vjen një reagim nga këshilltari i tij, Tedi Blushi.
Ndërkohë që disa media shkruanin se ishte Meta financuesi i një prej portaleve ku ka qarkulluar lajmi, Blushi sqaron se i vetmi portal i presidentit është faqja zyrtare www.president.al. Edhe kjo e financuar nga shteti dhe jo nga ai personalisht.
“Një sqarim për “idiotët e dobishëm” dhe të padobishëm: I vetmi “portal” i Presidentit Meta është www.president.al. Madje as këtë “portal” nuk e financon ai.
Ky sqarim nuk vlen për këdo që shkrimeve të tutorit të radhës i ve emrin e vet sipër, për të ngrënë përsheshin e radhës.”, shkruan Blushi.
Kujtojmë se pak javë më parë, disa media pranë qeverisë publikuan një lajm për një letër sekrete që presidenti Ilir Meta, i kishte dërguar kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tij, ku përmendej paralajmërimi për një tërmet.
Kështu një informacion sekret që fliste për rrezikimin e jetës së qindra mijëra shqiptarëve, nisi të përdoret për qëllime elektorale të rilindjes, duke linçuar dhe diskretituar Presidentin e Republikës dhe duke vënë në dyshim shëndetin e tij mendor. Po të njëjtat medie, tani thonë se portali i akuzuar për përhapjen e panikut të djelën qenka dhe i presidentit, pretendim i hedhur poshtë kjo nga këshilltari i tij./ Hashtag.al