Tre shqiptarë dhe dy tunizianë janë arrestuar nga policia italiane në përfundim të një hetimi të detajuar nga karabinierët në Perugia, mbi atë që konsiderohet një veprimtari e gjerë e trafikimit ndërkombëtar të drogës.
Më herët janë arrestuar dhe ndaluar edhe persona të tjerë. Grupi ishte përfshirë në tregtimin e heroinës, kokainë, hashashit, opiumit dhe drogave sintetike në kryeqytetin Umbrian.
“Ansa” shkruan se operacioni u inicua duke monitoruar lëvizjet e një italiani në Perugia, i cili me kthimin e tij nga Maroku, u arrestua me një ngarkesë të madhe hashashi, ndërsa në shtëpi policia gjeti opiumin, kokainë dhe ketaminë të lëngshme.
Gjithsej katër arrestime u kryen në flagrancë dhe u raportuan 12 persona. Hetuesit kanë dokumentuar 97 raste të tregtimit të drogës dhe u gjetën mbi 3 kg drogë (1.700 gram hashash, 600 gram heroinë, 220 opium dhe 36 grama kokainë, përveç 700 mililitra ketaminë të lëngshme), të destinuara për sheshet e tregut të qytetit, i cili do të kishte sjellë rreth 100,000 euro fitime.