Vendosni fjalën kyçe....

Situata alarmante në Fushë-Krujë, uji dëmton banesat dhe bizneset (FOTO/VIDEO)


E njëjta situatë si në dhjetor të 2017-ës për banorët e Fushë-Krujës, mbase më keq. Pas reshjeve të dendura të mbrëmjes së kaluar, që kanë vijuar gjatë gjithë mëngjesit të sotëm, uji ka vërshuar në banesa dhe në biznese.

Ende nuk dihet numri i saktë i objekteve të dëmtuara, por sipas informacioneve të mbërritura në “Hashtag.al”, bëhet fjalë për një duzinë banesash dhe biznesesh të cilat kanë mbetur të dëmtuara respektivisht në fshatrat Bilaj, Urë Gjole e Murqinë , në Fushë-Krujë.

Një banor tregon: “S’kemi fjetur gjithë natën nga meraku. Kemi siguruar gjënë e gjallë së pari, pastaj makinat që i kemi dërguar diku larg. Pastaj kemi vënë batanije të vjetra te dera për të pritur ujin. Nuk kisha thasë me rërë. Doli koha, menduam se uji po tërhiqej. Por niveli i ujit është ngritur më shumë. 7 centimetra ka hyrë në shtëpinë time deri tani.”

Në videot e mëposhtme, të mbërritura në redaksinë tonë, shihet qartë situata e rëndë me të cilën po përballen këta banorë. Lokale të përmbytura, servise e biznese me materiale duralumini.

Një tjetër tregon se dyshohet edhe për persona të cilët janë ndjerë keq dhe kanë patur nevojë për ndihmën e zjarrfikëses dhe ambulancës: “Pashë ambulancën e më thanë se janë bllokuar disa të moshuar, por s’e di mirë se kush. Ata janë te llixhat, ndonjëri mund të jetë ndjerë keq, apo rrëzuar në ujë. Mos të gënjej kot”.

Kjo është një situatë e përsëritur për banorët e këtyre zonave, të cilët janë përmbytur në dy vitet e fundit, sa herë që ka patur reshje shiu. Por në dhjetor të 2017-ës, situata ka qenë më e rënduar.

“Unë për vete asnjë dëmshpërblim s’kam marrë. S’ka marrë askush mesa di unë. Ky është shteti që kemi, s’çuditem fare”, tregon i njëjti banor.

Ata ankohen se pavarësisht se është mbledhur një komision që u ka verifikuar dëmet nëpër banesa dhe u është premtuar dëmshpërblimi, ata nuk kanë marrë asgjë përveç disa pakove me miell e oriz, edhe këto të dërguara nga shoqata bamirëse në ditët e vështira që kaluan./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *