Vendosni fjalën kyçe....

Bankat në Shqipëri, me ekspozimin më të lartë në rajon ndaj borxhit të qeverisë


Bankat përgjithësisht e mbështetin aktivitetin e tyre në një model tradicional biznesi të karakterizuar nga marrja e depozitave dhe dhënia e kredisë.

Edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pak a shumë qëndron e njëjta strukturë biznesi, por kjo ndryshon në rastin e Shqipërisë, ku 23% e aktivitetit bankar është e përqendruar në letrat me vlerë të qeverisë, thuhet në një vlerësim që publikoi këto ditë Banka Qendrore Europiane për zhvillimet në sektorin bankar të WB/6 dhe Turqisë.

Në vitin 2018, bankat tregtare në Shqipëri, 22.5% të aseteve i kishin të vendosura në letrat me vlerë të borxhit qeveritar.

Pas Shqipërisë, madhësinë më të madhe të ekspozimit të aktivitetit bankar ndaj qeverisë e kishte Serbia me 18.5% të aseteve, më pas Kosova me 11.5% të aseteve, Mali i Zi me 9.8% të aseteve dhe Maqedonia me nivelin më të ulët të ekspozimit të sektorit bankar ndaj borxhit të qeverisë, me vetëm 7.2% të aseteve të sistemit.

Në Shqipëri, ekspozimi shumë i lartë i aktivitetit të bankave ndaj borxhit të qeverisë erdhi kryesisht për dy arsye.

E para lidhet me ambientin e brishtë në kreditimin e sektorit privat si pasojë e nivelit të lartë të kredive me probleme. Së dyti, Shqipëria e ka borxhin publik të përqendruar në burime të brendshme.

Bankat janë lojtarët kryesorë të këtij tregu. Investimi në letrat me vlerë të qeverisë u ka sjellë bankave fitime të sigurta dhe pa lodhje, në kushtet e një tregu anemik kredie.

Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar, vitet e fundit, ka shtuar intensitetin e lajmërimeve për rreziqet që mbart borxhi i lartë publik edhe në aktivitetin e bankave.

Me rrezik shihet mbështetja e madhe e borxhit të brendshëm në sektorin bankar (bankat zotërojnë 60% të borxhit të brendshëm publik në fund të vitit 2017). Kështu rreziku i financimit është përkeqësuar nga përqendrimi i lartë i borxhit i brendshëm në disa banka vendase, ka vlerësuar Fondi.

Borxhi publik, sipas parashikimeve të skenarit bazë të FMN, është i ndjeshëm ndaj një sërë rreziqesh që dalin nga profili i financimit.

Edhe pse qeveria shqiptare ka nisur zgjatjen e afateve të maturimit, rreziqet e rifinancimit mbeten të larta, pasi rreth dy të pestat e borxhit të qeverisë qendrore është afatshkurtër.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *