Ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se Reforma Zgjedhore nuk zgjidh krizën politike në vend sepse nuk është ajo problemi.
“Reforma zgjedhore nuk është zgjidhja e krizës politike. Krizën politike në fund fare e zgjidhin vetëm zgjedhjet parlamentare të bëra me garanci dhe bëjnë të mundur që shqiptarët të bëjnë rrotacion politik me votë”-deklaroi Bylykbashi.
I ftuar në RTV Ora, Bylykbashi shtoi se në bazë të raportit të OSBE baza ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve ishte e mirë, por mungoi vullneti politik.
“Ne aty ishim për të dhënë edhe diçka tjetër, që nuk ishte reforma zgjedhore problemi për të cilin zgjedhjet nuk qe e mundur që të zhvilloheshin. ODIHR thotë që baza ligjore ishte e shëndoshë për të bërë zgjedhje demokratike, por mungoi vullneti politik. Kujt i mungoi vullneti politik kur bëri zgjedhjet pa patur parasysh interesin e zgjedhësve? Qeverisë, Edi Ramës”- tha ish-deputeti i PD.
Oerd Bylykbashi hodhi poshtë zërat për një përçarje mes PD dhe LSI, ndërsa theksoi se largimi i Ramës është vetëm çështje kohe.
“Opozita është e bashkuar dhe nuk ekziston asnjë nga këto probleme që përpiqen të kapin analistët dhe gazetarët. Ne kemi qëndrimin e qartë në lidhje me reformën zgjedhore dhe në lidhje me të gjitha qëndrimet e tjera. Shqipëtarët përcaktojnë fituesit me votë të lirë dhe më këtë histori, Edi Rama e ka prerë biletën, është vetëm çështje kohe”-tha deputeti.