Shtëpia e Bardhë publikoi të mërkurën transkriptimin e bisedës telefonike të presidentit Trump në muajin korrik me presidentin e Ukrainës, Zelensky, duke treguar se ai kërkoi një rishikim të marrëdhënieve të familjes Biden në vend, por dokumenti nuk tregon që Trump në mënyrë eksplicite po përdor ndihmën ushtarake si pjesë e një “quid pro quo” (favor në këmbim të diçkaje , siç kanë sugjeruar demokratët që kanë akuzuar kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Dokumenti, i deklasifikuar nga Trump një ditë më parë, tregon se thirrja që Trump bëri nga rezidenca e Shtëpisë së Bardhë, u krye më 25 korrik nga 09:03 ora deri në orën 09:33.
Një shënim në memon e publikuar thotë se nuk përfaqëson “transkriptin fjalë për fjalë”, por bazohet në “shënimet kyçe” të atyre që dëgjojnë dhe memorizojnë thirrjen. Ajo është paraqitur megjithatë në formë transkriptimi.
Transkripti fillon me presidentin Trump që uron Zelenskyn për fitoren e tij në zgjedhje, përpara se Trump përfundimisht të prekë subjektin, ish-presidentin Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.
“Ka shumë fjalë për djalin e Bidenit, që Biden ndaloi ndjekjen penale dhe shumë njerëz duan të mësojnë për këtë, kështu që çdo gjë që mund të bësh me Prokurorin e Përgjithshëm do të ishte e shkëlqyeshme,” tha Trump në telefonatë.
“Biden u mburr se ai ndaloi ndjekjen penale, në qoftë se ju mund ta shikoni këtë, kjo tingëllon e tmerrshme për mua.” – vijon Trump.
Kjo i referohet Joe Biden, i cili teksa sihte zv.president i SHBA-së në administratën Obama, kërkon nga Ukraina që të pushojë nga puna Kryeprokurorin e saj, Viktor Shokin, i cili po hetonte firmën e gazit natyror “Burisma Holdings”, ku Hunter Biden ishte anëtar bordi. Biden ka pohuar se shqetësimet për korrupsionin nxitën ndërhyrjen e tij.
Trump, në vazhdën e lëshimit të transkriptit, u akuzua nga Demokratët se në thelb u bë presion një pushteti të huaj për të hetuar një kundërshtar politik, pasi Biden tani është një pretendent kryesor për nominimin presidencial të Partisë Demokratike, për zgjedhjet 2020.
Të hënën, u raportua se Trump madje kishte porositur stafin e tij të ngrijë afro 400 milion dollarë në ndihmë ushtarake të Ukrainës, disa ditë para telefonatës me Zelensky, një detaj që nxiti thirrjet për të fajësuar kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe bëri që kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, të njoftojë një hetim zyrtar një ditë më parë.
Por transkripti i thirrjes nuk tregon që Trump të përmendte ndihmat si mjet presioni apo mjet pazari, megjithëse Zelensky u duk duke referuar ndihmën ushtarake në fillim të thirrjes, kur ai falënderoi Trump për “mbështetjen e madhe në fushën e mbrojtjes”.
Transkripti tregon Zelensky duke i sugjeruar Trump se çështja e Biden do të shqyrtohej nga një prokuror i ri.
“Ai ose ajo do të shqyrtojë situatën posaçërisht për kompaninë që përmendët në këtë çështje, çështja e hetimit të çështjes është në të vërtetë çështja për të rivendosur ndershmërinë, kështu që ne do të kujdesemi për këtë dhe ne do të punojmë për hetimin të çështjes.” – thotë Zelensky.