Vendosni fjalën kyçe....

“Opozita e bashkuar ka propozime konkrete për zgjedhjet, hetimin e krimit elektoral ta bëjë SPAK” – PD


Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin e Reformës Zgjedhore ka deklaruar se PD dhe opozita e bashkuar mbështet plotësisht këtë reformë, që duhet të jetë e vërtetë dhe të adresojë problematikat.

I ftuar në News24 ai theksoi se Komisioni Zgjedhor është produkt i zgjedhjeve të vitit 2017, që janë zgjedhje kriminale ku përfaqësohet vetëm shumica.

“Mbështetje e plotë për një reformë të vërtetë zgjedhore, që synon të adresojë problemet e vërteta dhe plagët e rënda që ka sistemi zgjedhor. Reforma duhet të jetë e vërtetë, të adresojë problematikat. Ndryshimi ose jo i sistemit zgjedhor nuk i shëron plagët. Duhet një sistem që garanton një përfaqësim më të drejtpërdrejtë. Sistemet janë të shumta, edhe propozimet. Komisioni zgjedhor është produkt i zgjedhjeve të 2017, që janë zgjedhje kriminale. Nuk kemi shumë palë të ulura aty, por kemi vetëm një palë. Është një parlament monopartiak, që përfaqësohet dhe reflektohet 100% në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ne duam të krijohet një forum, që të ketë në përbërje përfaqësues të besueshëm ndërkombëtarë. Forumi të drejtohet ose survejohet nga ndërkombëtarët dhe palët të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, me një përfaqësues të parlamentit monopartiak dhe një të opozitës.” – tha Kaso.

Më tej Kaso shtoi se nëse forumi do jetë i përshtatshëm, atëherë opozita e bashkuar e ka platformën e saj për sa i përket çlirimit të zgjedhjeve me propozime konkrete, qoftë edhe duke ndryshuar Kushtetuën.

“Nëse forumi do jetë i përshtatshëm, opozita e bashkuar ka platformën e saj sa i përket çlirimit të zgjedhjeve me propozime konkrete dhe ndryshime, qoftë edhe të Kushtetutës. Problematikat tona kanë të bëjnë me dekriminalizimin, shkëputjen e zyrtarëve të lartë me krimin dhe me paratë e krimit, financimin e partive politike, shpërdorimin e burimeve dhe resurseve të administratës nga qeveria. Për të gjitha këto ne kemi dhënë përgjigjet tona, siç edhe kthimin në krim të rëndë të shit-blerjes së votës dhe kalimin e tyre te SPAK. Kemi propozuar financim 100% shtetëror të partive politike, për të hequr dorë nga financimet private. Kemi dhënë propozimet tona, sa i përket mediave, dhe për çdo element tjetër të rëndësishëm. Platforma do të diskutohet në forum, ashtu siç do të dëgjojmë edhe ne propozimet e palëve.” – shtoi Kaso.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *