Një 26-vjeçar është arrestuar, pasi po transportonte 24 emigrantë të jashtëligjshëm. I riu me inicialet E.D, u kap pranë vendiit të quajtur “Guri i Kuq”, në fshatin Memëlisht, duke transportuar me mjetin furgon në drejtim të qytetit të Tiranës, 24 shtetas të huaj.
Këta emigrantë dyshohet se vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme.
“Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisaritit të Policisë Pogradec dhe Sektorit të Policisë Rrugore në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se një shtetas po transportonte shtetas të huaj nga vendet e Lindjes së Mesme, me qëllim kalimin e paligjshëm të tyre drejt vendeve Europiane, kundrejt fitimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Memëlishti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi i mësipëm u kap nga patrulla e Policisë Rrugore dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec pranë vendit të quajtur “Guri i Kuq”, në fshatin Memëlisht, duke transportuar me mjetin tip furgon, në drejtim të qytetit të Tiranës, 24 shtetas të huaj.
Nga ana e Policisë, po punohet për vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe për bashkëpunëtorë të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.”, thuhet në njoftimin e policisë.