Ymer Xhafa dhe Barjam Shala rrezikuan jetën e tyre kur tentuan të neutralizojnë autorin e një plagosjeje me armë në Kavajë. Pesë ditë pas ngjarjes, presidenti i vendit Ilir Meta i ka pritur dy “heronjtë” në një takim në zyrën e tij.
Meta tha se shembuj të tillë duhet të jenë ata që frymëzojnë shoqërinë tonë.
“Kënaqësi e veçantë të takoja sot dy qytetarë të mrekullueshëm të Kavajës, z.Ymer Xhafa dhe z.Bajram Shala, të cilët dy ditë më parë rrezikuan jetën e tyre për të neutralizuar një shtetas të armatosur në qendër të qytetit, i cili plagosi një shtetas tjetër, ngjarje që mund të kthehej në një tragjedi të madhe.
I falenderova përzemërsisht për aktin e tyre të lartë qytetar, në mbrojtje të jetës, paqes sociale dhe sigurisë publike.
Shembuj të tillë frymëzues i duhen mbarë shoqërisë tonë, për të qëndruar larg konflikteve, dhe për të reaguar kundër dhunës, krimit por dhe indiferencës, që rrezikon jetën, pronën e sigurinë qytetare.”, tha presidenti.
Plagosja me armë ndodhi më 24 shtator. 31-vjeçari Fitim Baboçi, i cili u netraulizua nga dy personat e lartpërmendur, ka deklaruar para grupit hetimor se mbi 10 vite më parë, gjatë kohës që ka qenë në gjimnaz ka pasur një konflikt me djalit e të plagosurit, Rexhep Tare. Ai tha se ka kohë që Tare e shan dhe ofendon dhe kur e ka parë poshtë pallatit ka marrë armën që kishte në banesë për ta plagosur, pa u menduar dy herë.
Imer Xhafa, ka qenë duke ndenjur në vendin e quajtur valuta, ka ndërhyrë menjëherë, duke e kapur Baboçin nga mbrapa së bashku me armën dhe është munduar ta neutralizojë duke e zhvendosur rreth 20-30 metra.
Pranë tij është afruar dhe Bajram Shala i cili ka hedhur krehërin e automatikut dhe më pas automatikun nga duart dhe të dy kanë pritur aty duke e neutralizuar të dyshuarin, deri në ardhjen e policisë.