Arrestohet personi i dyshuar për plagosjen e 24-vjeçarit në zonën e Yzberishtit. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, rreth orës 22.45 në rrugën e Qelqit në Yzberisht, ku një 24-vjeçar me inicialet D.V u plagos në dorë me armë zjarri.
Ai u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka arrestuar për ngjarjen një bashkëmoshatar të tij me inicialet I.A, ndërkohë që një tjetër person është shpallur në kërkim.
“Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Yzberisht
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 , pas një pune intensive kanë bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Yzberisht Tiranë, ku u plagos në dorë me armë zjarri shtetasi D. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Si rezultat i reagimit në kohë dhe veprimeve hetimore të kryera u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit I. A., 24 vjeç, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. A. dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se më datë 25.09.2019, rreth orës 22.45 në rrugën e Qelqit, dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë është plagosur në dorë shtetasi D. V., jashtë rrezikut për jetën.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shetasit F. A., Policia gjeti dhe bllokoi në cilësinë e provës materiale dy thika, të dyshuara si armë të ftohta.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.