Gjatë karrierës së tij ka fituar gjithçka dhe ka thyer çdo rekord, por ka një të dhënë thelbësore se që kur ka veshur fanellën e Juventusit, Kristiano Ronaldos nuk i ecën aspak me goditjet e dënimit.
Në karrierën e tij, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka shënuar shumë nga goditjet standarde, por që kur ka shkelur në Torino, ende nuk e ka provuar këtë kënaqësi, ndonëse ka provuar shumë.
Sipas statistikës së publikuar nga “AS”, CR7 ka gjuajtur 24 goditje dënimi që kur vesh fanellën bardhezi, pa gjetur kurrë rrugën e rrjetës. 15 herë ka goditur murin, dy herë nuk ka gjetur kuadratin, në 7 rastet e tjera gjuajtja e tij është pritur nga portieri.
Duke marrë në konsideratë vetëm Serinë A, gjuajtjet janë 18 pa gjetur golin, një statistikë që e rendit fenomenin portugez në gjuajtësin e dytë më të keq të turneut. Më keq se ai ka bërë vetëm Kamilo Kaino në sezonin e shkuar, kur me fanellën e Frozinones ka dështuar në 21 tentativa.