Vendosni fjalën kyçe....

Tenderi për Unazën e Madhe, Komisioni i Prokurimit rrëzon ARRSH, kualifikon “Salillarin” dhe “Bajrami N”


Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar një tjetër vendim të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe këtë herë lidhur me procedurën që lidhet me rehabilitimin e një loti të Unazës së Madhe.

E kthyer në epiqendër të vëmendjes prej shumë muajsh dhe e përndjekur nga një seri problematikash dhe skandalesh duket se edhe këtë herë do të ketë zgjatje të mëtejshme të procedurave.

Vendimi i KPP lidhet saktësisht me procedurën “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rreth rrotullimi Shqiponja”, Loti I” ku Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka s’kualifikuar pesë kompani nga tetë që morën pjesë në procedurën e ofertimit.

Tenderi për Unazën e Madhe

Në datën 14 .06.2019, është publikuar nga autoriteti kontraktor, në faqen e intemetit të Agjencisë së Prokurimit Publik, procedura e prokurimit “Procedurë e Hapur”,  me objekt: “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti I”, me fond limit 2.250.950.653,25 lekë (pa TVSH).

Në datën 22.07.2019, autoriteti kontraktor ka zhvilluar procedurën e prokurimit. Në këtë procedurë prokurimi kanë marrë pjesë operatorët ekonomikë si më poshtë, të cilët referuar dokumentacionit të autoritetit kontraktor, kanë paraqitur ofertat ekonomike (pa TVSH), përkatësisht: Bashkimi i operatorëve ekonomikë

  • “Alb Building” sh.p.k. & “Euroteorema Peqin” sh.p.k. & “Liqeni VII” sh.a. & “Communication Progres” sh.p.k. 1.726.144.828,77 lekë, skualifikuar
  • Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k. 1.776.111.282 lekë, skualifikuar
  • Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k. & “Be – Is” sh.p.k. 1.786.834.087 lekë, kualifikuar
  • Bashkimi i operatorëve ekonomikë “2 T” sh.p.k. & “G.P.G. Company” sh.p.k. 1.849.345.584,82 lekë, skualifikuar
  • Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Gjoka Konstruksion” sh.a. & “Shansi Invest” sh.p.k. 1.924.025.051, 67 lekë, skualifikuar
  • Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Curri” sh.p.k. & “Alba Konstruksion” sh.p.k. 1.990.898.426,80 lekë, kualifikuar
  • Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Vega” sh.p.k. & “Alko Impex General Construction” sh.p.k. 2.127.812.661,05 lekë, kualifikuar
  • “Gener 2” sh.p.k.

Në javën e parë të gushtit kompanitë janë njoftuar për statusin e tyre të kualifikimit dhe skualifikimit dhe duket se dy nga operatorët e skualifikuar “Alb Building” sh.p.k. & “Euroteorema Peqin” sh.p.k. & “Liqeni VII” sh.a. & “Communication Progres” sh.p.k.  dhe bashkimi i operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k nuk kanë qenë dakord me këtë vendim të ARRSH duke çuar çështjen në KPP. Paralelisht u pezullua cdo procedure tjeter duke lene nenshkrimin e kontrates me fituesin “Vellezerit Hysa” pezull.

KPP mori në shqyrtim dhe doli me një vendim të përbashkët së fundmi lidhur me këtë procedurë duke rrëzuar vendimin e Komsionit të Vlerësimit të Ofertave të ARRSH vetëm për bashkimin e oepratorëve Salillari dhe Bajrami N.

Vendimi i KPP

Në një dokument të gjatë ku analizohet situata KPP në gjashtë pika ka bërë të qartë vendimin e tij. Ku vendos së pari të mos pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Alb Building” sh.p.k. & “Euroteorema Peqin” sh.p.k. & “Liqeni VII” sh.a. & “Communication Progres” sh.p.k. në procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur”, me nr. REF-26436-06-13-2019, me objekt: “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti I”, me fond limit 2.250.950.653,25 lekë (pa TVSH), zhvilluar në datën 22.07.2019, nga autoriteti kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar”.

Po kështu ka vendosur  pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k., në procedurën e mësipërme të prokurimit.

“Autoriteti kontraktor të anulojë vendimin e KVO-së për skualifikimin e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k. dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara si më sipër, duke e kualifikuar këtë operator ekonomik. Autoriteti kontraktor brenda 10 ditëve të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera. Ngarkohet zyra e financës të kryejë veprimet për kthimin e tarifës financiare të paguar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k” thuhet në vendim.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *