Një nxënës 13-vjeçar në Kaliforni, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në tru, gjatë një përleshjeje në shkollë javën e kaluar.
Departamenti i Sherifit të qarkut Riverside, tha se 13-vjeçari i quajtur Diego, u shpall i vdekur klinikisht, pavarësisht “ndërhyrjeve rigoroze mjekësore dhe përpjekjeve të trajtimit”, siç citon “Fox News”. Mbiemri i Diegos nuk është bërë ende i ditur, por fotoja e tij ka qarkulluar në media.
Familjarët e adoleshentit, kanë vendosur të dhurojnë organet e Diegos për fëmijët e tjerë të cilët kanë nevojë për transplant.
Përleshja në shkollën e Diegos, ndodhi më 16 shtator dhe u filmua me video. Në videon e bërë virale në mediat sociale, shihen dy adoleshentë që e godasin Diegon me grusht. Ai ra në tokë dhe koka e tij u përplas në një shtyllë betoni.
Sipas “Fox 11”, njëri nga adoleshentët e grushtoi përsëri Diegon para se të largohej nga skena.
Dy nxënësit e përfshirë në sulm, të cilët nuk janë identifikuar publikisht sepse janë të mitur, u arrestuan në ditën e përleshjes dhe mbetën në paraburgim në një institucion për të mitur.