Vendosni fjalën kyçe....

Si u kapën 137 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit, policia jep detajet


Plot 137 kg kokainë janë sekuestruar në portin e Durrësit. Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë dalë në një konferencë të përbashkët në lidhje me operacionin ndërkombëtar për trafikun e drogës që zhvillohej me itinerar Ekuador-Greqi-Shqipëri.

Kreu i policisë së Shtetit, Ardi Veliu pohoi se pas bashkëpunimit me palën greke,  dy persona ranë në pranga dhe një u shpall në kërkim.

Personat e arrestuar janë Ardian Bega dhe Altin Myslimhaka (punonjës në port), që sipas Ardi Veliut kanë qenë pritësit e kokainës që vinte nga Ekuadori, dhe kishte si tranzit portin e Pireut në Greqi.

Veliu u shpreh se kontenierët me kokainë ishin zbuluar që në portin e Pireut dhe më pas përmes bashkëpunimit me autoritetet është bërë e mundur dorëzimi i saj i kontrolluar në mënyrë që të mbërrihej te porositësit e saj.

Veliu tha se personat e arrestuar kanë marrë një sasi kokaine nga kontenierët në Durrës, dhe bashkë me të dhe disa pako me oriz që ishin zëvendësuar nga policia, dhe ishin pajisur me GPS.

Ajo që nuk dihet është se kush fshihet pas dy punonjësve në port, dhe nëse droga kishte destinacion final Shqipërinë, apo një shtet tjetër.

DEKLARATA E VELIUT

Operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “KUITO”

Operacioni nga Policia e Shtetit, Policia greke dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, i koordinuar nga DEA Amerikane.

Sekuestrohen 137 kg lëndë narkotike kokainë.

Dy persona në pranga dhe një është shpallur në kërkim.

Në kuadër të luftës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike dhe operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara me partnerët, Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar për këtë qëllim.

Policia e Shtetit ne bashkëpunim me Autoritetet Ligjzbatuese Greke në koordinim me Zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë finalizoi me sukses operacionin ndërkombëtar “KUITO”.

Policia Shqiptare organizoi  dorëzimin e kontrolluar pas miratimit dhe lejimit nga Autoritetet Greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht 2019 dhe përfunduan sot më datë 27.09.2019.

Gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s.

Këto takime u realizuan në Tiranë dhe në Athinë për shkëmbimin e informacioneve dhe mbarëvajtjen e operacionit që do zhvillohej për goditjen e aktivitetit kriminal të personave që trafikonin lëndë narkotike të llojit kokainë nga Ekuadori në Greqi dhe më pas në Shqipëri, nëpërmjet rrugës detare.

Në realizimin e këtij operacioni, për dorëzimin e kontrolluar janë zbatuar të gjitha teknikat speciale të hetimit,  të miratuara me ligjin nr. 8920., datë 11.07.2002, për Ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar ndërkombëtar dhe dy protokolleve shtesë të saj.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, u aplikuan me profesionalizëm dhe sukses të plotë të gjitha format dhe metodat speciale te hetimit, të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Në përfundim të këtij operacioni, në funksion të dorëzimit të kontrolluar u sekuestrua 137 kg lëndë narkotike, kokainë dhe u arrestuan shtetasit:

A.B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. M.

Gjatë hetimeve të deritanishme rezulton se këta shtetas ishin pritësit e kësaj lënde narkotike në Durrës.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit.

Të gjitha veprimet e kryera nga shtetasit e mësipërm ishin të mbikëqyrura nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët bënë të mundur sekuestrimin e të gjithë lëndës narkotike, arrestimin e dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, për veprat penale “Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vazhdon punën intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni morën pjesë Drejtoria Hetimore Qendrore, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ZQK Interpol Tirana, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë e Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës.

Finalizimi i këtij operacioni tregon edhe njëherë vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar, si dhe besimin gjithnjë në rritje të partnerëve për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit.

Ky operacion i dorëzimit të kontrolluar shënon një hap cilësor në luftën kundër Krimit të Organizuar.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar për krijimin e një ambineti sa më të sigurt dhe fton cilindo që të denoncojë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *