Duket se ka nisur një përplasje në distancë mes ministrit Blendi Klosit dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Duke folur për ligjin për lejet mjedisore, në aktivitetin për certifikimin e paketave eko-turistike, Klosi tha sot se vlerat e parqeve që na ka falur Zoti, më të veçanta se dëshirat e një kryebashkiaku.
“Ndryshimi i ligjit ka prishur shumë interesa, ka ndryshuar shumë rregulla. Është e vërtetë se vendosja e rregullit ka shkaktuar shumë probleme dhe ka prishur interesa. Por është e mirë që parqet që ka na falur Zoti t’i mbrojmë. Vlerat e tyre janë shumë më të veçanta se dëshirat e një kryebashkiaku, sepse duke qenë e bukur është shumë e lakmueshme. Duhen aktivitete që nuk dëmtojnë agro-turizmin dhe natyrën. Ne vijojmë te bëjmë konkurrenca te brendshme, po nuk duhet t’i bëjmë këto konkurrenca”, tha Klosi.
Ndonëse nuk përmendi emër, është e qartë se Klosi e kishte fjalën për Erion Veliajn. Kjo sepse ditën e djeshme, Veliaj kërkoi që Inspektoriatet në të gjithë vendin të shkrihen duke i konsideruar struktura të korruptuara. Ai kërkoi që kompetencat e tyre t’i kalojnë bashkive.
Veliaj e shigjetoi më tej ministrin Klosi duke thënë se s’mund të telefonohet ministri, për një disko që bën zhurmë në qytetin e Durrësit.
“Kolegia ime në Durrës për një disko që bënë zhurmë duhet të marri ministrin. Qeveria nuk ka pse të japë leje mjedisore për furrën e bukës në katin e parë se po pra po se ajo furra e bukës që ka marrë leje mjedisore i ka futur edhe një të prishur kolonës së pallatit dhe hajde kape ti pastaj kur ai thotë kam leje mjedisore.
Kurse kryetari i bashkisë që rri përditë me njerëzit, që ka emrin e vet në fletë të votimit, që në fund të ditës kova e përgjegjësisë që kalon tek ai ose tek ajo ai s’ka ku shkon nuk mund të japë gjëra të papërgjegjshme.
Dhe unë jam 100% dakord me kryeministrin këto inspektoratet mjedisore janë 100% të korruptuara që duhen shkrirë, duhen shkrirë, kurse kryetari i bashkisë është zgjedhur nga populli dhe nesër e di që do të shkojë prapë aty. Kështu që o do të jetë i përgjegjshëm kur jep një leje lavazhi, gomisteri shumica e kateve të para në Tiranë janë me gomisteri të cilat kanë leje mjedisore”, tha Veliaj.
Madje Veliaj përdori edhe këto fjalë: “Kush është zhvejku që nuk do në ministri?”.