Partia Popullore Austriake e djathtë e ish-kancelarit Sebastian Kurz, ka dalë e para në zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan sot sipas sondazheve.
Partia e Kurz pritet të marrë më shumë se 37% të votave, ndërsa Socialdemokratët pritet të dalin në vendin e dytë me 22% të votave e në vend të tretë pritet të dalë forca politike e ekstremit të djtahtë, Partia e Lirisë me 16%.
Dy vjet nga zgjedhjet e mëparshme, austriakët zgjodhën sot 183 deputetë të parlamentit.
Votimi filloi në orën 7 të mëngjesit dhe përfundoi në 5 të pasdites.
Zgjedhjet do të përcaktojnë qeverinë e 33-të të Austrisë. Vendimi për zgjedhjet e parakohshme erdhi pas rrëzimit të një koalicioni të djathtë këtë maj pasi nënkancelari i atëhershëm dhe kreu i Partisë së Lirisë, Liria Heinz Christian Strache u tërhoq për shkak të një skandali që shpërtheu pas publikimit të një videoje.
Për gati katër muaj, vendi drejtohet nga ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Brigitte Bierlein.