Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka vendosur mbylljen e transmetimeve anaaloge për qarqet Tiranë dhe Durrës duke filluar nga dita e nesërme ndërsa ka shtyrë afatin për qarkun Vlorë.
Njoftimi për mbylljen e transmetive ishte lajmëruar më herët por ditën e sotme në mbledhjen e zhvilluar në AMA vendosi mbylljen përfundimtare.
Sipas AMA-s popullsia është furnizuar me dekoderat që mundësojnë transmetimin e sinjalit digjital.
Nga ana tjetër opozita kundërshtoi këtë vendim për mbylljen e transmetimeve në dy qarqe pasi sipas tyrë ka shkejle të ligjit gjithashtu edhe shumë qytetarë nuk janë pajisur me dekoderat e nevojshëm.
Njoftimi i AMA-s:
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në mbledhjen e tij të zhvilluar sot, më datë 30 shtator 2019, vendosi mbylljen e transmetimeve analoge në qarqet Tiranë dhe Durrës, në 01 tetor 2019, si dhe shtyrjen e afatit të kalimit në transmetimet numerike për qarkun Vlorë, deri në një datë të dytë që do të përcaktohet në vijim nga AMA.
Bordi u njoh me masat e marra nga AMA gjatë kësaj periudhe për administrimin e procesit të kalimit në transmetimet numerike. Lidhur me pajisjen e popullatës me dekodera, nga të dhënat dhe informacionet e depozituara nga operatorë të ndryshëm tregtarë, ka rezultuar se në treg ka numër mëse të mjaftueshëm dekoderash, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Kujtojmë se qeveria në kuadër të këtij procesi ka shpërndarë 88 mijë dekodera falas për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.
AMA gjatë vitit të fundit ka intensifikuar dhe diversifikuar fushatën e informimit të publikut duke e përcjellë atë nëpëmjet mediumeve të ndryshme informative.