Kryeministri Edi Rama ka uruar Sebastian Kurz për fitoren në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura dje në Austri.
“Urime Sebastian Kurz për fitoren e madhe dhe jam shumë i lumtur për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, që një kampion si ai i të ardhmes tonë të përbashkët europiane do të drejtojë Austrinë mike në vitet kritike që po vijnë. Të lumtë kancelar”, shkruan Rama.
Partia Popullore Austriake e djathtë e ish-kancelarit Sebastian Kurz, ka dalë e para në zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan dje sipas sondazheve.
Sipas rezultateve paraprake, partia e Kurz ka marrë 37.1 përqind të votave, një ngritje prej 5.7 përqind në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017 që e bënë 33-vjeçarin një nga kokat më të reja të qeverisë në botë.
“Sot njerëzit na kanë votuar përsëri,” u tha ai mbështetësve pas votimit, “ne kemi bërë të pamundurën të mundur”.
Vendimi për zgjedhjet e parakohshme erdhi pas prishjes së koalicionit të djathtë këtë maj, pasi nënkancelari i atëhershëm dhe kreu i Partisë së Lirisë, Liria Heinz Christian Strache u tërhoq për shkak të një skandali që shpërtheu pas publikimit të një videoje.
Për gati katër muaj, vendi drejtohet nga ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Brigitte Bierlein.