Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz, arriti të fitojë bindshëm zgjedhjet e parakohshme në vend, muaj pas video-skandalit që i dha fund koalicionit të tij me partinë e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë.
Kur votat janë numëruar thuajse të gjitha, konservatorët austriakë e drejtuar prej tij, Partia e Popullit, ka marrë 37% të votave, krahasuar me 31% të zgjedhjeve të fundit.
Ndërsa ish-aleatja e tij, Partia e Lirisë, ka pësuar një rënie të madhe duke marrë vetëm 16% të votave e duket se publikimi i videos ku shfaqej ish-zëvendës kancelari e ish-kreu i Partisë së Lirisë, Strache, e ka dëmtuar shumë forcën politike që drejton.
Në video, shfaqet Strache, i cili i premton një kontratë qeveritare një femre, e cila në video shtiret si mbesa e një oligarku rus në një bashkëbisedim që ndodh në një vilë në ishull turistik spanjoll, Ibiza.
Pas publikimit të videos, Strache u dorëhoq nga partia dhe si zv.kancelar duke bërë që Kurz të prishte koalicionin e të kërkonte zgjedhje të parakohshme.
Ai akuzoi shërbimet e huaja se kishin dorë në video-skandal ndërsa i mohoi akuzat duke thënë se jo të gjithapamjet ishin shfaqur.
Video-skandali u publikua nga media gjermane “Der Spiegel” dhe pas daljes pati shumë që e lidhën këtë me ndërhyrjen e qeverisë gjermane, që po përpiqej të luftonte spektrin e ekstremit të djathtë, në fuqizim e sipër në kontinent.
Pavarësisht fitores mbrëmjen e djeshme, Kurz nuk e ka shumicën e duhur për të formuar qeverinë dhe duhet të përzgjedhë një aleat për koalicion.
Sipas mediave austriake, Kurz mund të rinovojë koalicionin me Partinë e Lirisë por sipas të gjitha gjasave do zgjedhë si partnerë, Të Gjelbrit dhe Partinë Neos.
Kush është Sebastian Kurz
Djali i një sekretareje dhe një mësuesi, ai u bë aktiv në Partinë Popullore në moshën 16 vjeç. Si student i drejtësisë në Vjenë, ai u zgjodh kryetar i forumit rinor të partisë.
Kurz i la studimet në vitin 2011 për t’u bërë Ministër i ri i Brendshëm, duke u ngritur në ministrin e Jashtëm në 2013, në moshën 27 vjeç.
Dy vjet më vonë ai paraqiti një plan për të përmirësuar integrimin e emigrantëve. Megjithatë, ai vlerësoi lart kryeministrin populist të Hungarisë, Viktor Orban dhe pretendoi kredi për mbylljen e rrugës së migrantëve në Ballkan në vitin 2016.
Kryetar i zgjedhur në maj 2017, ai rikonfirmoi partinë dhe u zgjodh kancelar nga dhjetori 2017 deri në maj 2019, kur skandali i Ibizaz rrëzoi koalicionin.