Ekzekutohet me breshëri kallashnikovi një person në Lushnjë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një lokal në lagjen ‘Skënder Libohova’.
Viktima është identifikuar si 35-vjeçari Besmir Hida. Mësohet se ai kishte një pikë grumbullimi makinash në qytetin e Lushnjës.
Hida ka qenë i ulur në katin e dytë të një lokali, në pjesën e jashtme, për të pirë kafen e mëngjesit. Ai është qëlluar me breshëri automatiku nga një automjet i vogël. Autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur krimin dhe ka ngritur pika kontrolli në gjithë qytetin dhe rrugët hyrëse e dalëse.
Sipas uniformave blu, dyshohet se kanë qenë dy autorë, të cilët janë larguar më pas me një automjet.
“Sot rreth orës 08:15, në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” Lushnjë, dy persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit B.H, 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë. Autorët janë larguar nga vendngjarja me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë shërbimet e Policisë Lushnjë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më vonë u gjet një makinë e djegur në periferi të Lushnjës, pranë autostradës, e cila dyshohet se i përket autorëve.
Një grup specialistësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është nisur për t’i ardhur në ndihmë grupit hetimor me qëllim zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes.
Biznesmeni Besmir Hida, mësohet se është daja i Zamir Latifit, të riut që u ekzekutua rreth dy vite më parë në qendër të Lushnjës.
Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha u ekzekutuan në qendër të qytetit në 11 tetor të vitit të vitit 2017, ndërsa autorët e dyshuar janë identifikuar si Laert Haxhia dhe Orges Bilbili.
Objektiv i këtij atentati ishte Xhulio Shkurti, që në atë moment nuk ndodhej në vendin e ngjarjes, i njohur ndryshe dhe si nipi i Aldo Bares. Shkurti besohet se ishte larguar nga tavolina vetëm 10 minuta përpara ngjarjes. /Hashtag.al
https://www.youtube.com/watch?v=sfRGWmh36XQ