Një 21-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit, pas akuzave për 13 raste të mashtrimit me siguracionet për automjetet e qytetarëve që udhëtonin nga Italia për në Shqipëri.
I arrestuari është një shtetas nga Dibra, me inicialet F.B. Policia thotë se i riu u ndalua pas një hetimi dymujor, dhe akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i letrave me vlerë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Nga hetimet e kryera, rezulton se F.B gjatë muajit korrik 2019, në Portin e Barit, Itali, ka falsifikuar 13 Siguracione (TPL), në emër të shoqërive të ndryshme sigurimi, për automjetet që hyjnë në Shqipëri.
Detajet e policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguracioni”, për goditjen e falsifikimit të siguracionit të automjeteve.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Finalizimi i operacionit pas një hetimi dymujor mbi bazën e denoncimeve të shumta të qytetarëve, që kishin rënë pre e mashtrimit në Portin e Barit, Itali.
Në pranga 21-vjeçari nga Dibra.
Dokumentohen 13 raste të mashtrimit me Policë Sigurimi për automjete të qytetarëve që udhëtonin nga Italia për në Shqipëri.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, pas denoncimeve të shumta të qytetarëve që udhëtonin nga Bari, Itali për në Shqipëri me automjete dhe kishin prerë siguracion për automjetet e tyre në portin e Barit, të cilat pas kontrollit nga Policia kishin rezultuar të falsifikuara, referoi materialet në Prokurori dhe regjistroi procedimin penal për zbardhjen e këtyre rasteve.
Pas një hetimi dymujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës finalizoi operacionin policor “Siguracioni”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:
- B., 21 vjeç, banues në Dibër, për veprat penale “Falsifikimi i letrave me vlerë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas gjatë muajit korrik 2019, në Portin e Barit, Itali, ka falsifikuar 13 Siguracione (TPL), në emër të shoqërive të ndryshme sigurimi, për automjetet që hyjnë në Shqipëri.
Ndërkohë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.
Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.