Prokurori i Krimeve të Rënda, Njazi Seferi, i cili ka patur në dorë dosjen e vrasjes së nacionalistit grek, Konstandin Katsifas, ka dhënë dorëheqjen.
Kërkesa për dorëheqje i ka shkuar KLP-së e cila do të marrë vendim në pikën e dytë të rendit të ditës. Prokurori Seferi ende nuk ishte përballur me Vettingun.
Dosja e zbardhjes së vrasjes së Katsifas, që Seferi kishte në ngarkim, ka qenë së fundmi dhe në qendër të autoriteteve greke.
Kjo pasi ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, kërkoi përshpejtimin e hetimeve dhe deklaroi se ishte i pakënaqur nga vonesa e Prokurorisë Shqiptare.
Disa herë pala greke i ka përcjellë mesazhe palës shqiptare se nuk do ta mbështesin Shqipërinë në rrugën e integrimit drejt BE-së, nëse nuk respektohen të drejtat e minoritarëve.
Kostandin Katsifas u vra në prag të zhvillimit të përvitshëm të festës së Greqisë më 28 tetor 2018, në fshatin Bularat.
Ai kishte qëlluar me armë dhe pasi u identifikua nga policia, pati një përplasje mes tyre. Policia thotë se Katsifas hapi zjarr ndaj efektivëve sapo pa që po afroheshin në drejtim të tij dhe u detyruan të qëllonin.