Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf, ka folur sot lidhur me çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe kushtet e vendosura nga Bundestagu.
Gjatë një aktiviteti në kuadër të ‘Tetorit Gjerman’, Zingraf tha se tani gjithçka do të varët nga vendet anëtare të BE-së. Ai shtoi se kishte parë sinjale pozitive me rikthimin e opozitës në tryezën e Reformës Zgjedhore.
Sipas ambasadorit gjerman, kushtet e vëna për vendin tonë janë të qarta dhe duhen realizuar.
“Debati në Bundestag ishte i thellë dhe serioz, kjo ashtu siç është shprehur dhe një gazetar gjerman është një dëshmi që Shqipëria do të pranohet në BE. Në të vërtetë Bundestagu ka formuluar disa kushte që duhet të plotësohen në një hap të parë dhe më pas në një fazë të dytë duhet të plotësohen kushtet e tjera.
Është e rëndësishme që të theksojmë tani po pritet se çfarë vendimi do të marrin dhe vendet e tjera të BE. Kushtet që u formulën ishin artikuluar prej kohësh para këtij vendimi”, tha Zingraf.
Ambasadori theksoi se zgjidhja e krizës duhet të vijë nga vetë partitë politike dhe gjermania nuk mund të marrë rolin e negociatorit.
“Jam i bindur që zgjidhja për konfliktet politike duhet të vijë nga partitë politike, nga institucionet shqiptare, Gjermaninë nuk e shoh në rolin e ndërmjetësit. Ne kemi ofruar mbështetjen tonë teknike. Pjesëmarrja në tryezën e Reformës Zgjedhore të shumë partive politike ishte sinjal pozitiv”, tha ai.