19 vajza shtatëzënë janë shpëtuar nga policia, pasi mbaheshin peng në disa banesa në Lagos, në Nigeri. Vajzat e reja ishin rrëmbyer, përdhunuar dhe detyruar të lindin foshnje, të cilat më pas i shisnin.
Zëdhënësi i policisë së Lagos, Bala Elkana tha se 19-vajzat dhe katër foshnjat u shpëtuan nga katër lokacione në zonën Ikotun të Lagos.
Viktimat, të cilat ishin kryesisht nga Nigeria lindore, thanë se ishin mashtruar me premtimin për t’u punësuar në Lagos si staf i brendshëm.
Elkana tha se dy të dyshuar janë arrestuar, mirëpo koka e grupit, e identifikuar Madam Oluchi ia doli të arratisej. Autoritetet janë vënë në kërkim të saj. Nëna e pesë fëmijëve ishte në krye të operimeve të femrave shtatëzënë edhe pse nuk kishte bërë shkollë mjekësie.
Vajzat e mbajtura peng ishin të moshës 15 deri në moshën 28 vjeçare. Grupi kriminal i kishte rrëmbyer ato, i kishte shfrytëzuar seksualisht e më pas i detyronte që të mbesin shtatëzënë.
Më pas fëmijën e lindur e merrin dhe e shisnin. Sipas “The Independent” foshnjet meshkuj shiteshin për një vlerë prej 1121 euro ndërsa femrat për 627 euro.