Dukej si një moment normal për Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe Kryeministrin italian Giuseppe Conte teksa u bënë gati për të pozuar për një fotografi.
Mirëpo një grua u ngjit në podium duke i dhuruar Sekretarit të Shtetit Pompeo, pak djathtë parmixhan të prodhuar në Itali.
“Unë kam një dhuratë për ju – një dhuratë italiane. Kryeministri e di se për çfarë po flas. Ky është Parmigiano-Reggiano, dhe është ajo që ne e bëjmë më mirë në Itali”, tha gazetarja e një emisioni satirik, Alice Martinelli.
Pompeo me mirësjellje e pranon djathin. “Çojani zotit Trump ju lutem, dhe i thuaj atij se ne e bëjmë me zemër, ju lutemi” thërret gazetarja pasi agjentët e sigurimit ndërhyjnë për ta shoqëruar.
Martinelli, një gazetare në shfaqjen satirike “Le Iene”, më vonë i shpjegoi “The Washington Post” se ajo ishte atje për të dhënë një mesazh: fermerët italianë janë të shqetësuar për tarifat e paralajmëruara nga Trump për produktet ushqimore evropiane, përfshirë verën dhe djathin, që do të kushtonin miliarda dollarë.
Dhe Italia e merr seriozisht djathin e saj: Parmigiano-Reggiano prodhohet me kujdes nën rregulla të rrepta në vetëm 330 qumështore në Itali.
Fermerët italianë e sfiduan të martën sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo lidhur me kërcënimet për t’i vendosur tarifa disa prej produkteve ushqimore italiane si kundërpërgjigje ndaj subvencioneve qeveritare për kompaninë ajrore evropiane Airbus.
Ata organizuan një protestë të vogël jashtë rezidencës së presidentit Sergio Mattarella gjatë kohës që zoti Pompeo mbërriti për takimin e tij.