Presidenti rus Vladimir Putin ka folur vetëm pak minuta me homologun e tij francez në dalje të kishës Saint-Sulpice në qendër të Parisit, gjatë shërbesës për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Jacques Chirac.
Putin bisedoi me liderin francez për rreth dy minuta dhe më pas u drejtua drejt makinës së tij, raportoi një korrespodent i agjencisë së lajmeve ruse TASS nga vendi i ngjarjes.
Para se të fliste me Macron, presidenti rus mori pjesë në ceremoninë e lamtumirës për Chirac të mbajtur në Kishën e Saint-Sulpice, e cila zgjati më shumë se një orë e gjysmë. Në të morën pjesë rreth 80 kryetarë aktualë dhe të mëparshëm të shteteve dhe qeverive.
Mirëpo presidenti rus nuk mori pjesë në drekën e organizuar nga Pallati Elysee, ku morën pjesë krerët e shteteve dhe qeverive që erdhën për të nderuar ish-presidentin e ndjerë francez.
Pallati Elysee tha se “Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në drekën e pallatit për shkak të detyrimeve të tij.”
Ceremonia e lamtumirës së Chirac u mbajt në Kishën Saint-Sulpice në Paris. Në këtë ngjarje morën pjesë miq të politikanit, Macron me gruan e tij Brigitte, kryeministri francez Edouard Philippe dhe anëtarët e qeverisë franceze.
Një numër i madh i delegacioneve të huaja mbërritën në Paris. Rusia përfaqësohej nga Presidenti Vladimir Putin.
Chirac vdiq në 26 shtator në moshën 86 vjeç. Ai ishte president i Francës nga viti 1995 deri në 2007. Ai ishte kreu i fundit i shtetit francez që përfundoi dy mandate në detyrë.
Putin dhe Chirac janë takuar vazhdimisht si liderë të vendeve të tyre, por edhe pasi Chirac u largua nga posti presidencial. Në një intervistë për The Financial Times qershorin e kaluar, Putini tha se Chirac ishte një nga drejtuesit e huaj që ai kishte shansin të takohej për të cilin kishte përshtypjen më serioze. Putini e përshkroi Chirac si “një intelektual të vërtetë, një njeri me shumë nivel dhe po aq interesant”.