Aktori Neritan Liçaj ka konfirmuar lajmin se është kërcënuar me largim nga puna.
Liçaj deklaron se lajmin e ka të konfirmuar në rrugë informale dhe se nuk është thirrur akoma zyrtarisht për të marrë komunikimin.
Sipas tij ky presion bëhet për shkak të qëndrimit të tij kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
“Jam informuar sot se po përgatitet shkarkimi im nga puna, nuk e di motivin, s’kam informacion tjetër dhe nuk më kanë thirrur për të ma thënë, por që qëllimi është i qartë bëhet për shkak se po qëndroj tek Teatri”-thotë Liçaj.
Më tutje aktori pretendon se ky vendim është marrë nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë duke shtuar se nuk është në dijeni të personave të tjerë të cilët mund të jenë kërcënuar në këtë formë.
Por me aktorët e tjerë të cilët kanë heshtur për prishjen e Teatrit qeveria ka standard tjetër, madje e promovon ata në pozicione drejtuese. I tillë është rasti me aktorin Laert Vasili i cili është emëruar në krye të Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Laert Vasili fillimisht ka qenë pro restaurimit të Teatrit Kombëtar më pas u distancua derisa artikuloi nevojën për një teatër të ri te ai ekzistues.
Kurse nga ana tjetër Liçaj është një prej aktorëve që ka mbajtur një qëndrim të palëkundur kundër prishjes së Teatri duke qëndruar në ballë të protestave për mbrojtjen e tij që prej një viti e gjysmë.
Liçaj pasi foli për disa media rreth mundësisë së shkarkimit dha edhe një intervistë për Hashtag.al ku theksoi se e gjitha sipas tij bëhet për shkak të kundërshtisë së tij ndaj vendimit për prishjen e Teatrit.
Intervista:
Hashtag.al: Si jeni informuar për largimin nga puna dhe cili ka qenë motivi?
Neritan Liçaj: Jam informuar dje, që po përgatitet largimi im nga puna, burimi që ma është shumë i besuar, por nuk mund ta bëj të ditur sepse fillon reprezalja. Zyrtarisht nuk më kanë thirrur ende, do të doja ta bënin sepse do t’i ngrija një stuhi ligjore, mediatike, qytetare sepse është vërtet e turpshme që të shkelen të drejtat por më kanë thënë që është dëshirë e Kryeministrit. Këtë e besoj sepse sot kanë shkarkuar edhe Saimir Çilin, drejtorin e Cirkut. Ai ka ndërmend të verë këtë standard, që kush më del kundër mua unë e shkel, e heq nga puna dhe i jap poste lëpirsave. Është tipike e logjikës së Ramës. Kam qejf që të përplasem një herë.
Hashtag.al: Ka pasur presione të mëparshme ndaj jush?
Neritan Liçaj: Nuk ka pasur presione të tilla, nxjerr dy logjika, ose do të nxjerri një zhurmë mediatike sepse do të fshehë ndonjë gjë ose tani është fundi i procesit të tenderimit dhe ndoshta do të shikojë reagimit ose do të na dobësojë, por këto sulme e forcojnë më shumë Aleancën, edhe hakmarrje personale mund të jetë.
Hashtag.al: A ka aktorë të tjerë që i është bërë presion?
Neritan Liçaj: Jo, sepse nga aktorët e teatrit kombëtar, unë kam qenë ai që e ka kundërshtuar më hapur, ka qenë edhe Naim Shundi, por të tjerë nuk ka pasur, nuk besoj, por them që logjika është që godit atij që është në ballë. Por nuk mund t’i hiqet tjetrit e drejta e punës. Por them që është një çartje politike. Në vend që të qeverisi Kryeministri merret me kërcënime.
Hashtag.al: A ndikon te rezistenca për mbrojtjen e teatrit?
Neritan Liçaj: Përkundrazi na bëjnë mirë, na bashkojnë më tepër me njeri-tjetrin, na afrojnë më shumë me njëri tjetrin. Se kam merak fare do doja shumë ta bënin sepse aty do heqin çdo maskë nga vetja dhe unë nuk tërhiqem, jam gati të përballem/Klaudio Agolli-Hashtag.al