Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: 9 kushtet e Gjermanisë, rruga për daljen nga kriza e thellë


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka deklaruar se 9 kushtet e Bundestagut gjerman për PO-në ndaj Shqipërisë për sa i përket çeljes së negociatave, janë hapat që duhet të ndjekë politika shqiptare për të nxjerrë vendin nga kriza.

Në një intervistë për Report TV, Kryemadhi deklaroi se nuk i druhej një marrëveshjeje PD-LSI pasi sipas saj, nuk bëhet fjalë më për marrëveshje por për hapa që duhen ndjekur nga të gjitha forcat politike, parlamentare dhe jo parlamentare.

“Nuk është çështje marrëveshjeje PD-PS, PS-LSI, PD-LSI nuk është më çështje marrëveshjeje këtu. Është çështja e hapave që do të ndiqen nga politikbërësit, kur them politikbërësit të gjitha forcat politike, si ato parlamentare dhe jo parlamentare. Nuk është çështje marrëveshje këtu është çështje dialogu. Institucionalizimi i dialogut. Ne akoma e mendojmë dialogun politik gjë që e ke kusht nga Bashkimi Europian që në propozimin e parë për hapjen e negociatave është dialogu politik. Dialogu politik është institucion. Ne duhet ta institucionalizojmë. Ne nuk kemi dialog politik. Ditën që politika shqiptare do ta institucionalizojë dialogun, ju do ta shikoni që nuk do të ketë më krizë politike dhe Shqipëria do të vazhdojë e sigurt drejt gjithë proceseve të saj për integrimin europian.” – tha Kryemadhi.

Më tej kryetarja e LSI-së, tha se opozita e bashkuar, po punon për platformën anti-krizë, ku përfshihet situata politike dhe ajo ekonomike, ndërsa shtoi se Damian Gjiknuri dhe të gjithë ata që kanë futur duart në zgjedhje, duhet të dalin para drejtësisë.

“Damiani dhe shefat e Damianit duhet të dalin përpara drejtësisë. Nuk i kemi thënë kurrë jo dialogut për reformën zgjedhore edhe para se të digjnim mandatet. Po kanë qenë disa kushte të domosdoshme. Në momentin që ne do të shkonim drejt miratimit të reformës zgjedhore në fund të vitit 2018, doli skandali i famshëm i dosjes 339. Dhe si mund të shkojmë ne të miratojmë një reformë zgjedhore kur kishte një dosje 339 që kishte dy vite që mbahej e fshehur në prokurorinë e shtetit. Kur më pas doli 184, që në 2016 bënte xhiro bulevardit nga njëra zyrë e prokurorisë në zyrën tjetër dhe ndërkohë po përsëri tregonte skemën e deformimit, manipulimit, blerjes, kërcënimit dhe intimidimit të njerëzve për votën e tyre.” – shtoi Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *