Vendosni fjalën kyçe....

Rama për kushtet e Gjermanisë: Mos u bëni qesharakë, nuk është gati BE-ja jo ne


Në foltoren e Kuvendit, kryeministri Edi Rama ka folur për kushtet e reja të vëna nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Rama komentoi se kushtet e Gjermanisë janë njëlloj si kur shkon për një krushqi dhe ata të vendosin kushte, dhe pasi i plotëson këto kushte, ata të vendosin kushte të reja. Kështu sipas Ramës, ata nuk janë gati për krushqi, pra është BE-ja që nuk është gati për Shqipërinë e jo Shqipëria për BE-në.

 “Shqipëria sot është ku e ku në raport me kriteret dhe kërkesat e vendosura për integrimin. Dëgjova njërin këtu që tha se kishim 3 kushte, u bënë 9 kushte. Çfarë do me thënë kjo? KE para një viti tha ‘plotësoni këto 3 kushtet, që të hapim negociatat’. Ne këto 3 kushte i kemi plotësuar.

Nëse shkon për një krushqi dhe të thonë kemi këto 3 kushte, pasi t’i i plotëson të thonë se kanë kushte të tjera, kjo do të thotë se nuk janë gati ata. Mos u bëni qesharakë.

Maqedonia e Veriut, që sot me plot të drejtë shikohet me një sy më pak kritik, e di sa vite ka që pret t’i hapen negociatat, që sipas kërkesave të bëra nga vetë BE duhet t’i kishte hapur shumë e shumë vite më parë, por shikohet sot me këtë sy për shkak të një marrëveshje të madhe dhe zgjidhjes së një konflikti që ka çliruar një ngërç të madh.

Këtu do jemi, do shikoni se si për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Serbinë, Malin e Zi, do fillojë një proces kërkesash dhe ekzigjencash, që Shqipëria sot e ka nisur, që është procesi i një reforme në drejtësi, që do të thotë pastrim të sistemit nga të korruptuarit. Nuk e ka bërë asnjëri prej tyre.

Si e shpjegoni ju, që BE i thotë Kosovës, që unë liberalizoj vizat me ty, ti duhet të bësh delimitimin me Malin e Zi, dhe pasi Kosova e bën, BE nuk i liberalizon vizat. Çfarë është kjo? Korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë? Kush i ha këto, i hani ju. Nëse nuk i hani ju, mos ua jepni shqiptarëve t’i hanë, se këto janë broçkulla. BE nuk sot problemin e plotësimit ose jo të kushteve të Shqipërisë. BE sot ka një debat të brendshëm të imponuar nga dinamika të brendshme dhe të lidhura me një periudhë krize që ka marrë të përpjetën qysh me shpërthimin e lumit të refugjatëve”, tha Rama.

Sipas kryeministrit vendet të cilat nuk janë dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë janë kundër zgjerimit të BE-së në përgjithësi dhe jo kundër Shqipërisë në veçanti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *