Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut për një vizitë zyrtare.
Përveç Shkupit, Pompeo do shkojë edhe në Greqinë, ndërsa ka qenë më herët në Mal të Zi. Shqipëria nuk bën pjesë në listën e vendeve që do vizitohen prej zyrtarit të lartë amerikan.
Gjatë takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zaev, Pompeo ka thënë se në vjeshtë senati do ratifikojë protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO.
“Pres që së shpejti SHBA-ja ta ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Marrëveshja e juaj me Greqinë dhe Bullgarinë tregon se keni punuar në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve me fqinjët”, deklaroi Pompeo.
Më tej ai theksoi se lufta kundër korrupsionit është tepër e rëndësishme për vendin.
“Si udhëheqëse e demokracisë në botë, SHBA i mbështet shtetet që janë duke luftuar për sundimin e ligjit, ndërsa lufta kundër korrupsionit është thelbësore si për anëtarësimin në NATO dhe BE, ashtu edhe për qytetarët tuaj”, shtoi Pompeo, shkruan Portalb.mk.