Kandidatja për kryeministre e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, do e padisë televizionin shtetëror, RTK, “për shpifje, anshmëri politike dhe shkelje të rënda të standardeve profesionale, pasi që është vënë në shërbim të pushtetit në ikje, duke publikuar lajme të rrejshme”.
“I njoftoj qytetarët e Kosovës, që të mos bien pre e lajmeve të rrejshme të RTK-së dhe portaleve të pushtetit në ikje, të cilat në mënyrën më të ulët të mundshme po shpifin kundër meje dhe familjes time. Shpifjet për lidhjet e mia me Rusinë nuk i besojnë as ata vetë, lëre më qytetarët e Kosovës që më njohin mirë dhe më njohin gjatë. I njoftoj qytetarët se sot kam autorizuar avokatin e familjes për të përgatitur padi kundër RTK-së, e cili shpenzon 15 milionë euro taksa të qytetarëve të Kosovës në vit, ndërsa është vënë komplet në shërbim propagandues të nëntokës dhe pushtetit në ikje”, ka thënë Osmani, përcjell LDK-ja.
Sipas kësaj partie, “sulmet e RTK-së kundër Vjosa Osmanit dhe LDK-së, janë shpeshtuar me afrimin e datës së zgjedhjeve pasi që nëntoka, krimi dhe korrupsioni do të dënohen të dielën me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës”, shkruan Koha.net.
“I njoftoj qytetarët se këto shpifje të ulëta vijnë nga frika e dënimit që do të marrin të dielën me votën e qytetarëve. I ftoj qytetarët që të çojnë në vend përcaktimin e vullnetit të tyre politik, për ndryshimin e madh dhe çlirimin e dytë të Kosovës që do të ndodhë të dielën”, tha Osmani.