Një vajzë e vogël është mbytyr dhe lidhur në një pemë nga një djalë 12-vjeçar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Brazil. “Mirror” shkruan se vajza 9-vjeçare e cila vuante nga çrregullime të spektrit autik, u zhduk nga një event bamirësie që po ndiqte me familjen e saj në São Paulo, të dielën e kaluar.
Disa ditë më pas, trupi i saj u zbulua afërsisht 2.5 milje larg nga festivali, i lidhur me një litar në një pemë në parkun bashkiak të qytetit. Megjithëse një pjesë e kordonit ishte mbështjellë rreth qafës, hetuesit nuk besojnë se ajo ishte varur pasi këmbët e saj ishin në tokë. Kryeinspektori Eduardo Marturano tha: “Lëndimet në fytyrën e saj ishin aq të rënda, madje ishte e vështirë të identifikohej.” Në trupin e vajzës kishte dhe shenja të abuzimit seksual.
Një djalë 12-vjeçar dyshohet se ka rrëfyer për vrasjen. Dy fëmijët ishin kapur nga kamerat e sigurisë, duke ecur dorë për dore drejt pyllit rreth orës 12:30.
Thuhet se dy fëmijët ishin miq që jetonin në të njëjtën rrugë, luanin së bashku dhe studionin në të njëjtën shkollë. Nëse shpallet fajtor, gjykatësit do të duhet të përcaktojnë nëse fëmija i akuzuar duhet të shtrohet në spital për së paku tre vjet, ose të mbahet i burgosur në një burg për shkelësit e rinj të ligjit.