Vendosni fjalën kyçe....

60 nxënës të helmuar në Postribë, opozita: Skandaloze siguria ushqimore pranë shkollave


Pasditen e së enjtes, 3 tetor 2019,  26 nxënës në Postribë u paraqitën në spital me simptomat e vjelljes, temparaturës dhe marrje mendësh, por deri sot numri i tyre është rritur në 60.

Shefja e Infektivit në Shkodër Rezarta Bazhdari deklaroi se vetëm brenda 24 orësh ka pasur 34 raste të tillë. 8 prej nxënësve vijojnë të jenë të shtruar.

“Për 24 orë janë 34 raste, ndërkohë 8 janë të shtruar. Situata është nën kontroll. Nuk ka vend për panik. Spitali po e përballon situatën. Edhe këto raste janë me intoksikim. Janë marrë mostrat për të bërë analizat që të nxirren agjentët shkaktues. Jemi në kontakt me familjarët për t’i qetësuar ata sepse situata është e menaxhueshme”, tha shefja e Infektivit në Shkodër.

Lidhur me këtë situatë, ka reaguar dhe ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi i cili akuzon kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Arsimit Besa Shahini, se i kanë kthyer shkollat në fast food-e me ushqime të skaduara.

Ai shtoi se garancia e nxënësve nëpër shkolla, qoftë nga ana higjenës dhe nga siguria është skandaloze.

“Helmimi i nxënësve në Postribë nuk është i vetmi.

Është përsëritje e shumë rasteve të tjera, si dëshmi e helmimit të arsimit në tërësi dhe mungesës së perkujdesit për fëmijët tanë.

Garancia dhe siguria ushqimore sikurse ajo fizike, përtej propagandës, pranë shkollave është skandaloze.

Nxënësit për shkak të moskujdesit shtetëror, konsumojnë ushqime pa asnjë kontroll dhe përtej normave higjeniko-sanitare.

Ndërkohë shkolla ka përgjegjësi totale, sepse nxënësit janë brenda orarit mësimor.

Por Besa “e mençur” me siguri do japë ndonjë deklaratë të tipit që “ne nuk investojmë në vende të humbura e shkolla me 7 nxënës”.

Ose do heshtë siç ka bërë në shumë raste nga padija.

Sot ajo nuk e sheh që shumë shkolla ngjajnë si fast food-e me ushqime te skaduara dhe shumë fast food-e ngjajnë si shkollat e Ramës e Besës.

Helmimi i nxënësve dhe i arsimit duhet ndalur!!!”, tha Boçi.

Pasi fëmijët e tyre shfaqën simptoma të helmimit, prindër ngritën dyshimet se shkaktari është një Fast Food pranë shkollës, ku fëmijët kishin ngrënë e pirë ujë. Policia ka nisur hetimet, ndërsa DSHP ka marrë monstrat e ujit dhe të ushqimeve të Fast Food-it për të identifikuar shkaqet e helmimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *