Kreu i Partisë Demokratike ka deklaruar se 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman, janë udhërrëfyesi që duhet ndjekur për të dalë nga kriza e thellë ku ndodhet vendi.
I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’, Basha, tha se opozita ka përgjegjësinë që të rikthejë legjitimitetin e qeverisjes nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Ai theksoi gjithashtu se vendi është në një situatë tejet kritike e përgjegjësia për këtë është e kryeministrit Rama.
“Momenti kritik që po kalon vendi, në radhë të parë, shikohet tek shtëpitë e shqiptarëve, tek frigoriferët e boshatisur të shqiptarëve, tek fakti që shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk mbyllin dot muajin. Këto janë pasojat e një politike të gabuar të një shteti të falimentuar dhe një partie në pushtet të kapur nga krimi dhe të zhytur në korrupsion. Ndërsa shkaku i vërtetë i kësaj krize është asgjesimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndaj, e gjithë beteja e opozitës është fokusuar tek zgjidhja e kësaj krize ekonomike, sociale dhe politike, duke nisur me rrënjët e së keqes, që është rikthimi i legjitimitetit të qeverisjes përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.” – tha Basha.
Basha theksoi në vijim se 9 kushtet e vendosura nga parlamenti gjerman është rruga që duhet ndjekur për të dalë nga kriza. Ndërsa vërejti se vit pas viti Shqipërisë i janë shtuar kushtet për çeljen e negociatave dhe emri i vetëm përgjëegjës për këtë është ai i Edi Ramës.
“Shqipërisë, në vend që t’i pakësohen, i janë shtuar kushtet. Ky nuk është dështimi as i Shqipërisë, as i shqiptarëve. Ky dështim ka emrin, firmën dhe vulën e Edi Ramës dhe qeverisjes së tij. 9 kushtet janë kushte të cilat përcaktojnë qartë krizën në të cilën e ka zhytur vendin kjo qeverisje. Po përmend vetëm dy prej kushteve që janë shtuar. Arrestimi dhe procedimi penal i personave që janë përfshirë në shitblerjen e votive dhe gjykimin e legjitimitetit farsë të 30 Qershorit dhe përsëritjen e zgjedhjeve me një ligj të ri zgjedhor, me një reform zgjedhore.” – shtoi kryedemokrati.
Basha tha gjithashtu se përgjegjësia për mosçeljen e negociatave është e Ramës dhe qeverisjes së tij, megjithatë opozita ka përgjegjësinë të mos e lërë vendin në duart e një qeverisjeje të dështuar.