Vendosni fjalën kyçe....

Braçe kërcënon PD-në: Di gjithçka që keni komunikuar për Liridon Pulën, i kam me emra e mbiemra


Zv.kryeministri Erion Braçe, në një deklaratë për mediat, akuzoi  edhe njëherë Partinë Demokratike për një histori shantazhi e presioni ndaj ish-drejtorit të Kadastrës së Durrësit.

Braçe kërcënoi PD-në se në ditët në vazhdim, do të zbulonte gjithçka dinte për këtë histori, ku sipas tij janë të përfshirë edhe drejtues të PD-së.

“Për partinë Demokratike, ju nuk keni turp, fare, jeni tërësisht pa turp. Atë që di unë këto 4-5 ditë në raport me udhëheqës tuaj, që kanë folur me personazhe të kësaj çështjeje, padyshim që do ta konsumojmë në ditët në vijim. Por po e përsëris, ju nuk keni turp.”, tha Braçe.

“Drejtuesin e ASHK-së në Durrës e kam takuar vetëm dy herë gjatë gjithë jetës, në muajin maj dhe në muajin qershor. Me të kam folur në telefon vetëm një herë të vetme, të shtunën e kaluar, kur pas një statusi të një tjetër talebani, për t’i kërkuar shpjegime dhe mora përgjigjen se ajo ngjarje nuk kishte ndodhur kurrë. Kam marrë të gjithë dëshminë e historisë së shantazhit ndaj tij, me emra me mbiemra me episode dhe çështje konkrete.”, shpjegoi Braçe.

Ai mohoi se kishte lidhje me Liridon Pulën dhe kërcënoi me padi Enkelejd Alibeajn, pasi ai tha dje se Braçe po e mbron Pulën sepse e ka kushëri.

“Unë bashkëshortja ime, prindërit e mi me krushqi, prindërit e saj me krushqi, motra ime dhe bashkëshorti i saj, prindërit e tij, familjet e tyre dhe krushqitë e tyre brenda dhe jashtë vendit nuk kemi lidhje. Talebani që e artikuloi këtë dje dhe ngriti mbi këtë shpifje një histori korrupsioni, në qendër të të cilit qenkam unë, do të vijë ta provojë në gjykatë. Do vijë ai vetë dhe ky do të jetë fillimi për të dhe racën e talebanëve politikë të tij.”, tha zv.kryeministri.

“E përsëris, di gjithçka që keni komunikuar me personazhit e kësaj historie, që flasin e flasin publikisht edhe për ju.”, përfundoi ai. / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *