Zv.kryeministri Erion Braçe, ka hedhur akuza ndaj prokurorit Arjan Ndoja, lidhur me hetimet që ai ka nisur për kreun e Kadastrës në Durrës, Liridon Pula.
Braçe thotë se Ndoja i ka nisur hetimet nga kallëzimi i një personi anonim, që në deklarimet e tij as nuk e përmend në asnjë rresht drejtuesin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, që dje u la nga Gjykata e Durrësit në masë arresti me burg.
“Një prokuror ka ngritur një akuzë ndaj këtij nëpunësi dhe është detyrë e imja të dëgjoj akuzën. mbrojtjen në një proces që duhet të jetë i hapur transparent dhe i mbështetur në prova. Çfarë është ky proces dhe kjo akuzë. Nuk është fare që ka servirur me gazetarët e tij prokurori, dhe që kanë raportuar në mirëbesim të një prokurori disa media. Nuk ka lidhje fare me çështjen e ish-drejtorit të hershëm të ALUIZNI-t që është në arrati sot, nuk ka të bëje më grabitje dhe tjetërsim pronash.
Kompania Lura sh.p.k ka ndërtuar me çdo leje të mundshme me marrëveshje dhe kontrata legale, kompleksin Lura 3. ka aplikuar për të marrë sipas ligjit çdo leje, dhe i është shërbyer sipas ligjit sipas lejeve të marra më herët. Nuk ka lidhje as me grabitje tokash e pronash në Gjirin e Lalzit as me legalizime objektesh që nuk janë ndërtuar kurrë më parë. As investitori, as ndërtuesi as pronarët e truallit nuk kanë kallëzuar për procedurën e ndjekur në zyrat e shtetit. Asnjëri prej tyre nuk i është shkaktuar ndonjë dëm qoftë fizik, qoftë monetar. Kush ka kallëzuar dhe a është i dëmtuar ai? Ka kallëzuar një njeri anonim, pa lidhje me çështjen fare. Kallëzimi i është drejtuar specifikisht këtij prokurori. Unë ja kam dalë ta kem këtë kallëzim që prokurori ja fshehu dje gjykatës. Drejtuar Arjan Ndojës, madje lëvdohet ky prokuror në këtë kallëzim, janë 5 faqe. Kallëzuesi nuk përmend në asnjë rresht të tij drejtorin e ASHK-së. Ky prokuror ka marrë kallëzim nga shtetas anonim por njohës i procedurës së ASHK-së ku akuzohen nëpunës të tjerë, por jo drejtori i ASHK-së i vënë nën akuzë nga ky prokuror. Ky fakt ju fsheh dje gjykatës. Prokurori mashtroi dje gjykatën ky si pikënisje të hetimit bëri policinë e Durrësit, edhe kur tha se kontratat e sipërmarrjes mes investitorit dhe pronarit të truallit janë me përqindje duke synuar të mbështesë akuzën për tjetërsim të pasurisë. Kontratat në të vërtetë janë të administruara në ASHK dhe janë individualizuar me pronar për çdo objekt. Bëhet fjalë për apartamente me metra katror individualizuar”, tha Braçe.
Zv.kryeministri mes të tjerash, mohoi akuzat nga PD se ai i kishte dalë në mbrojtje Liridon Pulajt për shkak të lidhjeve të afërta familjare. Ai madje kërcënoi Enkelejd Alibeajn se do e çonte në gjykatë për deklaratat e rreme.