Katër persona janë ndaluar në Prizren, pasi dyshohen se kanë fotografuar votën. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i policisë në Prizren, Vesel Gashi.
“Mund të ju konfirmojë se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorinë kemi ndaluar katër persona të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur votën”, thuhet në përgjigjen e Gashit dhënë për gazetën Express.
Tre nga personat a kuzuar për keqpërdorim të votës u ndaluan në shkollën “Abdyl Frashëri” dhe një në shkollën “Mustafa Bakia” të Prizrenit.
Më herët u lajmërua se një person nga Peja ishte arrestuar për të njëjtin motiv. Sipas medieve në Kosovë, kjo ka ndodhur në fshatin Krushefc të Komunës së Pejës, ku një qytetar ka fotografuar votën e tij.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Rreth orës 9:36 jemi informuar për një rast ku një person ka fotografuar votën, lidhur me këtë janë angazhuar hetuesit rajonalë përgjegjës. Lidhur me rastin personi që e ka fotografuar votën është shoqëruar në stacion policor. Jemi në pritje të vendimit të Prokurorit për cilësimin e rastit në fjalë”, ka thënë Rugova.
Të dyshuarit po intervistohen nga hetuesit, dhe me urdhër te prokurorit do të ndalohen për procedura të mëtutjeshme.
Në këto zgjedhje të parakohshme, që prej orës 07:00 të mëngjesit, qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit. Deri më tani janë shënuar disa parregullsi, ndërsa më herët u arrestuan dhe dy komisionerë në Mitrovicë.