Vendosni fjalën kyçe....

Falsifikuan letërnjoftimet e Kosovës, arrestohen dy komisionerët në Mitrovicë


Arrestimet e para në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Kosova Press shkruan se në Mitrovicën e Veriut, me urdhër të prokurorit, janë ndaluar dy persona të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” nga neni 211 të KPRK-së.

“Koordinatorja Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, në koordinim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, pas marrjes së informacioneve se është lejuar votimi në kundërshtim me rregullat e KQZ-së, nga ana e dy komisionerëve, (kryesuesi i vendvotimit dhe zyrtari për identifikim në qendrën e votimit 3805B/12D, në shkollën “Sveti Sava”, në Mitrovicën e veriut), janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke ndaluar të dyshuarit dhe duke kryer verifikimet procedurale.”, thuhet në njoftim.

Dy personat janë arrestuar sot rreth orës 10:00 në veri të Mitrovicës, nën akuzën se posedonin letërnjoftime falso të Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviç.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, dy persona janë dërguar në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës, për shkak të parregullsisë në procesin zgjedhor”, ka thënë shkurt Radoviç.

Ai shtoi se informatat shtesë do të bëhen të ditura në vazhdim, përkatësisht pasi të arrijë deklarata zyrtare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *