Në Kosovë sot po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin. Votimet kanë nisur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00.
Sakaq, në në orët e para kanë shkuar për të votuar deri më tani katër prej kandidatëve për kryeministër.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka votuar në Shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë së bashku me bashkëshorten e tij, Anitën.
Haradinaj u ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët të dalin të votojnë pa marrë parasysh bindjet politike.
“I lus të gjithë qytetarët e vendit pa marrë parasysh bindjet politike që të dalin në zgjedhje, vetëm me votë vendosim vetë”, ka thënë Haradinaj.
Po ashtu edhe Albin Kurti, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje ka votuar në objektet e Fakultetit Juridik në Prishtinë.
Kurti thotë se sot të gjithë janë të barabartë, dhe ka bërë thirrje që të gjithë ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.
“Sot s’ka rendësi a je i pasur a i varfër, a vjen nga fshati a qyteti. A ke mbaruar shkollim te lartë a jo. Të gjithë jemi të barabartë. Të gjithë ta shfrytëzojnë këtë shans historik për nga karakteri. Le të votojmë e le të festojmë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka deklaruar se gruaja e tij nuk ka mundur që të votojë për shkak se ajo ka nënshtetësi norvegjeze.
Sakaq, më herët dhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ka votuar në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.
Veseli tha se sot është një ditë e jashtëzakonshme për Kosovën, pasi që do t’i hapen perspektiva shtetit, qytetarëve e të rinjve.
“Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, përhajr na qoftë të gjithëve”, ka thënë Veseli.
Ende s’ka dhënë votën e saj e vetmja kandidate grua, Vjosa Osmani. Ajo pritet nga çasti në çast të paraqitet në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik.
Në zgjedhje sot marrin pjesë 25 subjekte politike, mes tyre katër koalicione, 20 parti politike dhe një kandidat i pavarur. Kandidatët për kryeministër janë: Ramush Haradinaj, AAK-PSD; Vjosa Osmani, LDK; Kadri Veseli, PDK; Fatmir Limaj, Nisma AKR; Albin Kurti, Vetëvendosje; Nenad Rashiç, Koalicioni Sloboda.