Këtë të djelë Turqia është ngritur në protestë, për shkak se llogaria zyrtare në “Twitter” e Ambasadës Amerikane, ka pëlqyer një postim për kreun e Partisë Nacionaliste, Devlet Bahceli, i cili ishte i sëmurë.
Kjo protestë vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis aleatëve të NATO-s janë tensionuar për shkak të kërcënimeve të Turqisë për të sulmuar Sirinë verilindore, pasi Ankaraja akuzoi Uashingtonin se ka ngecur në përpjekjet për të krijuar një “zonë të sigurt” së bashku.
Bahceli është lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), e cila është një aleat i Partisë AK të Presidentit Tayip Erdogan. Të dy partitë hynë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në një aleancë vitin e kaluar, gjë që i lejoi ata të arrijnë një shumicë në parlament së bashku.
Siç shkruan “Reuters” të shtunën, ambasada e SHBA-së pëlqeu një postim ku thuhej se Turqia duhet të jetë e gatshme për një politikë pa Bahcelin, i cili ka pasur probleme shëndetësore javët e fundit.
Sipas partisë së Erdogan, përdoruesi që kishte postuar këtë mesazh ishte në kërkim për lidhje me rrjetin e Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon se orkestroi grushtin e shtetit në korrik të vitit 2016.
Omer Celik, zëdhënësi i Partisë AK, tha që Departamenti amerikan i Shtetit dhe Ambasada duhej të hetonin çështjen dhe se një kërkesë për falje nuk mjaftonte.
“Kjo tregon se disa njerëz të punësuar në Ambasadë janë duke bërë një përpjekje të veçantë për të dëmtuar marrëdhëniet midis dy vendeve”, tha Celik në Twitter.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara duhet të përpiqet të kuptojë Turqinë, jo përmes njerëzve të lidhur me organizatat terroriste, por përmes njerëzve që mund të bëjnë analiza të duhura,” tha ai.
Ambasada kërkoi falje në “Twitter” vonë të shtunën.
“Më herët gjatë ditës së sotme, llogaria jonë në Tëitter e Ambasadës ‘pëlqeu’ një postim gabimisht. Ne pendohemi për gabimin dhe kërkojmë falje për çdo konfuzion”, thuhej në njoftimin e ambasadës.
Mirëpo kjo kërkesë për falje duket se nuk i ka bindur shumë turq, të cilët janë ngritur të protestojnë.