Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, në një intervistë për Standard ka theksuar se me të marrë qeverinë zyrtarisht do heqë taksën me Serbinë dhe do e zëvendësojë me parimin e reciprocitetit.
Kurti theksoi se do hyjë në dialog me palën serbe dhe do kërkojë kompesimet e luftës si edhe analizimin e varreve masive.
“Ne do ta zëvendësojmë taksën me parimin e reciprocitetit. Për shembull, Beogradi duhet t’i pranojë targat tona dhe dokumentet, në të cilët shkruan Republika e Kosovës. Duam ta sqarojmë fatin e të zhdukurve, pavarësisht kombësisë, të gjinden edhe serbët edhe romët. Duhet të formohen ekipet e përbashkëta të hetuesve kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të analizonin varrezat masive”- ka deklaruar Kurti.
Ai po ashtu shtoi se Serbia i detyrohet Kosovës edhe për kompensim të luftës, një fond pensioni dhe 1,200 artefakte.
I pyetur se pse Prishtina duhet të nënshkruajë një marrëveshje me Beogradin, Kurti u përgjigj se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme dhe se pa njohje të ndërsjellë nuk ka anëtarësim në BE.
Duke folur për veten, ai theksoi se është shqiptar nga nacionaliteti dhe që Shqipëria e Kosova janë dy shtete, por një kombësi. “Domethënë si dy Gjermani, por jo si Gjermania dhe Austria”-u shpreh ai.
I pyetur se a është ende favorizues i bashkimit të Shqipërisë së Madhe, ai tha se mendon që do të duhej që qytetarët të votojnë për të, nëse do të kishte referendum.
“Megjithatë, referendumi nuk lejohet, kështu që unë do ta respektoj kushtetutën derisa një ditë të jemi në gjendje që ta ndryshojmë atë në mënyrë paqësore dhe demokratike. E kjo nuk pritet të ndodhë shpejt”- përfundoi Kurti.