Vendosni fjalën kyçe....

Kalimi i Kopshtit Botanik nën administrimin e Veliajt, FSHN-ja merr vendimin pas mbledhjes së jashtëzakonshme


Asambleja e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka zhvillur sot një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me VKM-në e kryeministrit Rama që kalon Kopshtin Botanik nën administrimin e Veliajt.

Asambleja ka dalë me një daklaratë publike duke theksuar se në pritje të seancës gjyqësore, ka marrë vendimin unanim për të qenë e pranishme me gjithë trupën e saj në Gjykatën Administrative të Apelit më 9 tetor, të mërkurën.

Deklaratë për shtyp e Asamblesë së FSHN-së:

Asambleja e Personelit Akademik të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës (FSHN, UT), në mbledhjen saj të jashtëzakonshme të datës 07.10.2019 për shqyrtimin e VKM-së të Këshillit të Ministrave nr 510, datë 17.07.2019 ‘Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të disa pasurive të paluajtshme në zonën kadastrale 3292 (Kopshti Botanik).. .’, diskutoi në lidhje me pretendimet për keqinformim të Senatit Akademik të UT-së, të shprehura në letrën e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erjon Velia, të datës 01.10.2019, drejtuar anëtarëve të senatit.

Asambleja e FSHN u ndje e keqardhur që Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve procesin e transferimit të Kopshtit Botanik pranë Bashkisë Tiranë, të iniciuar që në Tetor 2017 nga Bashkia Tiranë, nuk e ka bërë transparent asnjëherë dhe asnjërës prej strukturave drejtuese të UT-së, për më tepër kur nga vetë Bashkia ngrihet akuza për ‘disinformim’ nga Rektorati dhe FSFN-ja.

Kjo shkresë, duke qenë në kundërshtim flagrant me kuadrin ligjor që rregullon marrëdhëniet midis institucioneve publike, përmban gjithashtu shtrembërime dhe fakte të pavërteta në kohë dhe përmbajtje.

Të shqetësuar për fatin e Kopshtit Botanik dhe në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor, Asambleja unanimisht mori vendim që të përcjellë nga afër të gjitha hapat e këtij procesi, me praninë e të gjithë trupës së saj para Gjykatës Administrative të Apelit, ditën e mërkurë, datë 09 tetor 2019 ora 11:00, me shpresë të një vendimi të drejtë në favor të shpëtimit të këtij institucioni unik me vlera kombëtare të pazëvendësueshme.

Asambleja e Personelit Akademik të FSHN


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *